Ka filluar kthimi nga zonat bregdetare, në drejtim të Tiranës dhe Morinës, i pushuesve që lëvizin në fundjavë. Në të gjitha akset rrugore nacionale ka fluks të shtuar, por pa krijuar radhë e vonesa. Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve me uniformë në rrugë, por edhe të shërbimeve civile në patrullim, si dhe po monitoron me 4 dronë parakalimet e gabuara dhe me 6 radarë shpejtësinë tej normave të lejuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Ndrërkohë që edhe mbrëmjen e djeshme policia ka kryer disa kontrolle, ku ka hequr 138 patenta dhe ka vendosur 2051 gjoba.
“Deri në këto momente në akset Lezhë-Thumanë, Himarë-Vlorë-Fier-Durrës-Tiranë dhe Milot-Morinë, Gjiri i Lalzit-Maminas, Rrogozhinë-Elbasan, Korçë-Elbasan-Tiranë, janë evidentuar 45 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit. Janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, në të gjitha akset rrugore nacionale, 222 drejtues mjetesh që kanë kryer parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë duke u bërë shkak për aksident rrugor. Njëkohësisht, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore, kanë konstatuar lëvizje të çrregullta në rrugë apo manovra të rrezikshme dhe kanë ndaluar 37 drejtues mjetesh dhe motomjetesh.
Pas alkooltesteve ka rezultuar se 18 prej tyre drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit, me masa alkooli që varionin nga 0.27 mg/l deri në 0.41 mg/l, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit. Po gjatë pasdites e deri në këto momente janë vendosur 137 masa për përdorim të celularit, 87 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 21 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse”, njofton policia.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, sinjalistikën orientuese dhe kufizuese.