Më pëlqen shumë shprehja “Nënat e dinë më mirë” sidomos nëse bëhet fjalë për fëmijët e tu, pa të dhënë mend nje tipe që as nuk e pyete dhe që sapo është bërë nënë… Uaaaa vetë ke lindur ti? Pse u çmende? Ka lezet operacioni, del si zonje… Me gji i ke? Uaaaa s’ke pas qumësht? Rrasi biberonin o gocë pse torturohesh? Fëmija do kështu e do ashtu…
“O zogu, si fillim nuk të pyeta, së dyti kam dy fëmijë (nëse nuk e ke vënë re) dhe kur unë nuk jap këshilla apo t’i imponohem dikujt për diçka që më mirë se kushdo e di nëna vetë, çfarë të bën të mendosh që ke të drejtën të më çash t*apin?”- doja t’i thoja, po buzëqesha, i thash një: “vërtetë”, të ngërdheshur dhe u përpoqa të ndërroj muhabet… Por jo! Nëna e shekullit do e çonte deri në fund misionin e saj “trapçarës”. Madje ka marre përsipër të mos ndalet vetëm me njerëzit që njeh, por t’ju çajë gajden edhe atyre që e ndjekin në instagram.
Sigurisht që në rrjetet sociale bëhen pyetje nga më të çuditshmet (mua më pyesin që nga lodrat se ku ua kam blerë vajzave, e deri tek krëhëri i kaçurrelave). Me siguri do e ketë pyetur ndonjëra për diçka dhe ky ishte momenti vendimtar kur ju duk vetja “Guru Mëmësie”. Secila nga ne e përjeton ndryshe shtatëzaninë, lindjen, kujdesin për të vegjlit pasi bebet nuk janë njësoj dhe pa diskutim që me mikeshat ndan edhe eksperiencat e tua por hej… Ka një limit çdo gjë! Nuk mund të bësh sikur shpike rrotën dhe po ndihmon pandat në zhdukje, vetëm se solle në jetë një fëmijë.
Nuk mund t’i imponohesh gjithkujt që takon me rregullat apo mënyrën se si po e rrit fëmijën tënd. Ti nuk e di se çfarë përjeton një nënë pas lindjes, a e ka luksin të rrijë veç me foshnjen, a ka fjetur, a ka ngrënë, a ka qumësht, a i janë çarë gjinjtë, a i dhemb plaga, a ka ndihmë, a i çan kokën vjehrra me teoritë e saj, a e streson bashkëshorti se nuk e ka idenë çdo të thotë depresion post partum… kështuqë nëse nuk të pyet kush mos jep mend.
“Mamat e dinë më mirë” dhe nëse mamat vendosin të të pyesin për diçka atëherë mund të ndash eksperiencën tënde me to, pa u bërë njeriu që nuk ka asgjë tjetër për çfarë të flasë, veç fëmijës. Vërtet të ndryshon jeta pasi bëhesh nënë, ndryshojnë prioritetet por je nënë më e lumtur nëse mes lodhjes dhe lumturisë që të fal kujdesi për fëmijën do gjesh pak kohë për veten, bashkëshortin, miqtë…
Kjo po që është një këshillë që jepet pa të pyetur askush sidomos nëse vjen nga një nënë e dy fëmijëve që ka ekpserience më shumë se ti dhe është personi më i papërshtatshëm që ti të shpalosësh talentin tënd prej “supermamaje”.
Frymëzuar nga njëra që besoj të gjitha ju mund ta keni takuar në jetë. Është ajo tipja që me perfeksionin e saj të shtirur ju bën të ndiheni sikur nuk jeni mjaftueshëm… Po më dëgjuat mua, EVITOJENI!
Nga: Jonida Aliçkolli