Ish-deputeti demokrat, Luçiano Boçi ka ngritur alarmin ditën e sotme duke thënë se pothuajse gjithë stafi i kujdesit parësor shëndetësor në Elbasan është konfirmuar pozitiv me koronavirus. Boçi shkruan se situata është në rënie të lirë, teksa fajëson autoritetet shëndetësore dhe neglizhencën e qeverisë lidhur me masat e marra për të pamundësuar përhapjen e virusit.
Reagimi i plotë: Situatë katastrofike e Covid-19 në Elbasan. Pothuaj gjithë personeli i Njësisë vendore të kujdesit shëndetësor, rezulton pozitiv. Situata është lënë në rënie të lirë dhe totalisht jashtë kontrollit. Asnjë karantinim, apo teste për rrethin e kontakteve të të prekurve. Rreziku është permanent dhe neglizhenca qeveritare absolute.
Asnjë masë nga Ministria e Shëndetësisë për të pamundësuar përhapjen e virusit nga kjo strukturë e shëndetit parësor, kur dihet që kontaktet e tyre me publikun janë të shpeshta. Rama e Manastirliu flasin nga kullat e… detit. Vetëm një Zot e di se si do shmanget katastrofa shëndetësore që po troket, sepse qeveria pa zot ka marrë pushime të gjata.