Për shkak rritjes së të infektuarëve, shumë prej vendeve europiane po përballen me një valë të dytë të koronavirusit dhe për këtë arsye, kanë rishikuar masat lehtësuese. Athina zyrtare, pak ditë më parë, lajmëroi për hapjen e kufijve tokësorë me Shqipërinë më 15 qershor, por ky vendim është shtyrë së fundi nga një vendim i Ministrisë së Turizmit.
Ministri grek i Turizmit ka deklaruar sot se shtatë pikat kufitare tokësore greke do të hapen më datë 1 korrik dhe jo më 15 qershor për turistët, siç ishte deklaruar më parë.
Ky vendim vlen për Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që fluturimi që është planifikuar për në datën 15 qershor, Tiranë – Athinë nuk do të anulohet, pasi bllokimi është bërë vetëm për turistët. Personat që kanë leje qëndrimi nuk bëjnë pjesë në këtë vendim, njofton më tej Ministria greke e Turizmit, sepse ata do të lejohen të udhëtojnë.