Kryeministri Rama ka njoftuar mbrëmjen e djeshme se plazhi këtë sezon do të jetë ndryshe nga vitet e mëparshme për shkak të situatës së covid-19. Në emisionin Opinion, kryeministri tha se këtë sezon nuk do të ketë kontrata private për shezlonë dhe çadra, përveç hoteleve. Gjithashtu, sipas Ramës plazhi do të bëhet “si qëmoti” sepse ato do jenë krejtësisht publike dhe të shqiptarëve.
“Nuk do të lejojmë më asnjë kontratë private për shezlonë dhe çadra, përveç hoteleve. Hotelet kanë turistë, kanë vizitorë, ata mund të vendosin kontratat e tyre. Ndërkohë plazhet e tjera do të jenë plazhe publike dhe qytetarët do të bëjnë plazh siç bënim ne dikur kur ishim të vegjël, që shezlone nuk kishte dhe akomodoheshim me ato mjete rrethanore.
Plazhet do të jenë publike. Nuk do të ketë më njerëz që dalin me hunj apo dhëmbë të prishur, që i thonë atyre djemve dhe vajzave: paguaj 5 euro të hysh këtej e të dalësh andej, 7 euro peshqiri, dy euro jastëku. Plazhet do t’i kenë shqiptarët”, u shpreh kryeministri Edi Rama.