Aksi rrugor Librazhd–Prrenjas, i cili u rihap për qarkullim këtë javë pas ndërhyrjeve intensive në terren, do të jetë i aksesueshëm për të gjitha llojet e automjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaroi se segmenti provizor u ndërtua për të garantuar rikthimin e plotë të lëvizjes në këtë arterie të rëndësishme kombëtare.
Sipas ARRSH, aksi i përkohshëm në fazën fillestare do të jetë i shtruar me çakëll të ngjeshur, për të mundësuar kalimin normal të mjeteve, përfshirë automjetet e tonazhit të rëndë. ARRSH thekson se për një periudhë rreth 10-ditore, rruga do të konsolidohet përmes ngjeshjes natyrale dhe nga qarkullimi i automjeteve që do të kalojnë mbi të.
Pas kësaj faze stabilizimi ky segment rrugor do t’i nënshtrohet procesit të asfaltimit, duke u kthyer në një aks plotësisht funksional dhe të standardizuar. ARRSH garanton se puna do të vijojë me ritme të shpejta, në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria dhe siguria afatgjatë e këtij segmenti, i cili lidh Tiranën me juglindjen e vendit dhe përbën një korridor të rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe transportin e mallrave.
Rihapja e këtij aksi do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të rikthejë normalitetin për banorët dhe bizneset e zonës, pas ditëve të vështira të ndërprerjes së lëvizjes.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.