Komuniteti i Bashkisë së Librazhdit, por edhe mijëra qytetarë përtej kufijve të kësaj bashkie , po përjetojnë një ndjenjë të rrallë gëzimi dhe krenarie.Falë kontributit të përbashkët, u bë e mundur sigurimi i shumës financiare të nevojshme për përballimin e shpenzimeve mjekësore të 22-vjeçares Klarisa Zharri. Një kauzë humane e këtij komuniteti bashkoi zemra, vullnete dhe shpresa që shpëtuan një jetë.
Solidariteti i manifestuar këto ditë nga librazhdasit i bashkoi dhe i bëri më të fortë të gjithë në momentet më të vështira që po kalon Klarisa. Falë kësaj mbështetjeje të jashtëzakonshme, Klarisa Zharri ndodhet tashmë në Itali, në spitalin prestigjioz të transplanteve Cisanello, ku po përgatitet për procedurat e nevojshme drejt transplantit të mëlçisë ,e vetmja mundësi jetike sipas vlerësimit mjekësor.Historia e Klarisës , 22 vjeçe nga Librazhdi, e cila përballet me një sëmundje të rëndë autoimune të mëlçisë që ka çuar në cirrozë të avancuar dhe dështim funksional, u kthye në një thirrje ndërgjegjeje për të gjithë. Dhe përgjigjja ishte madhështore.
Ky është një shembull i qartë se kur institucionet, komuniteti dhe qytetarët bëhen bashkë, humanizmi fiton. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuan jo vetëm publikisht, por edhe privatisht ,përmes mesazheve, telefonatave dhe duke trokitur në dyert e Bashkisë, me dëshirën e sinqertë për të ndihmuar.Librazhdi tregoi se forca e një komuniteti matet në momente si këto. I urojmë Klarisës shërim të shpejtë dhe që shumë shpejt të kthehet pranë familjes, kolegëve dhe miqve të saj. Shpresa është ndezur dhe bashkë, e mbajmë të gjallë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.