Një bashkëbisedim i hapur, shpresëplotë dhe tejet miqësor u zhvillua mes Bashkisë Librazhd, e drejtuar nga Kryetari z. Mariglen Disha, dhe drejtuesve të Kolegjit Universitar të Biznesit (KUB), me në krye Rektorin Prof. Dr. Ylber Bezo, ku në fokus ishin mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të zhvillimit vendor dhe avancimit të arsimit të lartë.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e KUB prezantuan projektin e suksesshëm të realizuar në bashkëpunim me Bashkinë Berat, projekt i financuar nga AKKSHI, duke evidentuar njëkohësisht kapacitetet akademike, kërkimore dhe profesionale të institucionit për të qenë një partner i vlefshëm edhe për Bashkinë Librazhd. Diskutimet u përqendruan në iniciativa të përbashkëta, projekte zhvillimore, studime shkencore në funksion të politikave vendore si dhe mbështetje konkrete për të rinjtë e zonës.
Si rezultat i këtij bashkëbisedimi konstruktiv, palët firmosën një marrëveshje bashkëpunimi me interes reciprok, e cila synon të krijojë ura të qëndrueshme mes arsimit të lartë dhe vetqeverisjes vendore. Kjo marrëveshje pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetin e Librazhdit, përmes projekteve të përbashkëta, studimeve shkencore të dedikuara për bashkinë, si dhe bursave të studimit për nxënësit ekselentë.
“Si lektor prej rreth 10 vitesh në këtë fushë dhe ushtrues i disa detyrave në vetqeverisjen vendore me një përvojë 23-vjeçare, ndihem veçanërisht mirë që kultura e bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë dhe njësive të vetqeverisjes vendore po pranohet dhe po forcohet. Ndërsa universiteti zbaton Misionin e Tretë dhe parimet e Shkencës së Hapur, bashkitë përfitojnë projekte konkrete, dije shkencore dhe mbështetje reale për të rinjtë e tyre”, u theksua gjatë takimit.
Në përmbyllje, u shpreh një falënderim i veçantë për Kryetarin e Bashkisë Librazhd, z. Mariglen Disha, për mikpritjen e ngrohtë dhe frymën e re menaxheriale që ai ka sjellë në këtë bashki, si dhe për stafin që ai drejton me përkushtim në shërbim të komunitetit të Librazhdit. Ky bashkëpunim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një modeli modern të zhvillimit lokal, ku dija akademike dhe administrimi vendor ecin krah për krah.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.