Blue Monday shpesh përkufizohet si “dita më e trishtuar e vitit” dhe zakonisht bie të hënën e tretë të muajit janar. Ky term lindi nga një formulë që kombinon disa faktorë, si moti dimëror, përfundimi i festave, rikthimi në rutinën e përditshme dhe vështirësia për të mbajtur premtimet apo objektivat e vendosura për vitin e ri.
Në realitet, nuk ka asnjë provë shkencore që ta mbështesë këtë teori. Blue Monday shihet më shumë si një shtysë për të reflektuar mbi mirëqenien mendore, për të normalizuar emocionet e vështira dhe për të kujtuar sa e rëndësishme është të kujdesemi për veten, të dëgjojmë veten dhe të kërkojmë mbështetje kur kemi nevojë.
Në vitin 2005, psikologu britanik Cliff Arnall krijoi një formulë për të kuptuar këtë periudhë të trishtuar të vitit, duke identifikuar të hënën e tretë të janarit si “ditën më të trishtuar të vitit”. Ai e quajti këtë fenomen “Blue Monday” (E Hëna Blu), duke theksuar faktorët që kontribuonin në këtë ndjenjë të përgjithshme trishtimi, si borxhet e krijuara nga shpenzimet e Krishtlindjeve, humbja e motivimit për të realizuar qëllimet e Vitit të Ri dhe kthimi në rutinën e përditshme.
Megjithatë, kjo teori ka marrë kritikë nga shumë shkencëtarë dhe psikologë, të cilët e konsiderojnë atë si një ide të pavërtetuar dhe pa baza shkencore. Ata argumentojnë se nuk ka prova të mjaftueshme që të mbështesin pretendimin se një ditë e caktuar është më e trishta se të tjerat.
Si të përballojmë e Hënën Blu?
Ekspertët e shëndetit rekomandojnë disa hapa për të luftuar melankolinë:
– Aktivitet fizik i rregullt dhe konsum i frutave, perimeve dhe vitaminës D.
– Zvogëlimi i konsumit të alkoolit për rritjen e energjisë dhe përmirësimin e gjumit.
– Ndërveprim me miq dhe kolegë për të rikthyer motivimin dhe humorin pozitiv.
– Nisja e projekteve të reja, hobi të rinj ose aventurash të vogla për të ndryshuar rutinën.
Leona Burton, themeluese e Rrjetit Ndërkombëtar të Nënave në Biznes, sugjeron që kjo ditë të përdoret si një “kujtesë për rëndësinë e mënyrës së të menduarit” dhe se vendosja e qëllimeve të qarta dhe ndarja e detyrave në hapa të menaxhueshëm ndihmon punonjësit të rifitojnë kontrollin dhe një qëndrim pozitiv.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.