Situata e motit në qarkun Elbasan: reshje shiu dhe dëbore, rritje e ndjeshme e prurjeve ujore

Në qarkun Elbasan vijon moti i paqëndrueshëm, me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa gjatë orëve të fundit kanë nisur edhe reshjet e dëborës në lartësi mbi 600 metra mbi nivelin e detit. Sipas të dhënave zyrtare nga Stacioni Meteorologjik Elbasan, gjatë natës janë regjistruar 17 mm reshje shiu.

Nga informacionet e marra nga sektorët e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut dhe nga salla operative e Policisë Elbasan, rezulton se në bashkinë Elbasan ka prani dëbore në njësitë administrative Labinot Mal, Gjinar, Funarë dhe Zavalinë, ku trashësia e dëborës deri tani nuk i kalon 5 cm. Qarkullimi rrugor në këto zona vijon normalisht, pa probleme.

Ndërkohë, përroi i Zaranikës paraqitet në kuota mbi mesatare, ndërsa lumi Shkumbin ka shënuar rritje të ndjeshme të prurjeve ujore, me një rritje të konsiderueshme të kuotës krahasuar me ditën e djeshme.

Në bashkinë Cërrik, mbrëmjen e djeshme janë kryer ndërhyrje pranë stacionit elektrik tek ish-uzina e naftës, ku si pasojë e grumbullimit të sasive të konsiderueshme të ujit u angazhuan dy mjete zjarrfikëse, njëra prej të cilave në mbështetje nga MZSH Elbasan.

Situatë problematike raportohet në bashkinë Belsh, ku liqeni kryesor ka rritur ndjeshëm kuotën dhe ka dalë nga shtrati. Që prej ditës së djeshme janë hapur portat e shkarkimit, ndërsa si pasojë e shkarkimit të digës së Trojasit, segmenti rrugor Belsh–Trojas është bllokuar për shkak se ndodhet nën ujë.

Në aksin rrugor nacional Elbasan–Qafë Thanë kanë nisur reshjet e dëborës, ndërsa qarkullimi vijon, por me shpejtësi të reduktuar.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, si pasojë e kushteve të motit janë raportuar stakime dhe defekte në zonat malore të Librazhdit, konkretisht në njësitë administrative Steblevë dhe Orenjë, si dhe në njësitë administrative Skënderbegas dhe Kukur të bashkisë Gramsh, si edhe në njësitë administrative Klos dhe Mollas të bashkisë Cërrik.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.