Zbardhet Librazhdi/ Reshjet e dëborës “mbulojnë” Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe fshatrat turistike

Dëbora e parë për këtë sezon ka “zbarkuar” në malësitë e Librazhdit që mesditën e sotme, duke sjellë një panoramë të bukur, por edhe problematike për banorët dhe natyrën e zonës.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura në Elbasan, reshjet e dendura të dëborës kanë nisur rreth orës 11:00 në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Dëbora ka përfshirë gjithashtu edhe fshatin turistik të Fushë-Studenit, një destinacion i njohur për turizëm malor.

Fatmir Brazhda, e konsideron këtë një rast të rrallë: “Janë reshjet më të hershme të dëborës që kemi parë në vite, që në ditët e para të tetorit të cikat janë një sinjal i fortë i ndryshimeve klimatike.”

Por përveç bukurisë natyrore, dëbora e parakohshme ka shkaktuar edhe shqetësime të menjëhershme. Bujqësia është në rrezik pasi banorët e kësaj zone nuk kanë mundur ende të përfundojnë shkuljen e patateve, ndërsa toka tashmë është mbuluar nga bora. Barinjtë nga ana tjetër janë zënë të papërgatitur. Bagëtitë ndodhen ende në stane në kullota malore, duke rrezikuar dëmtimin e tyre për shkak të temperaturave të ulëta.

Pyjet dhe ekosistemet lokale po përballen me një stres klimatik, pasi bora e parakohshme prish ciklin natyror të vjeshtës dhe mund të shkaktojë dëmtime në bimësi.Edhe në fshatrat e tjerë malorë të Librazhdit nga mesdita e sotme reshjet e dëborës kanë zbardhur majat e maleve.

Ekspertët thonë se kjo situatë është një pasqyrë e qartë e ndikimeve të ndryshimeve klimatike, të cilat tashmë po ndihen konkretisht edhe në Shqipëri.