Jeta plot dhimbje e një legjende, nga vdekja e djemve tek sëmundja e Robert Redford

Robert Redford, një nga figurat më të mëdha të kinematografisë amerikane, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare në shtëpinë e tij në Utah. Edhe pse hyri në histori si aktor, regjisor dhe producent i jashtëzakonshëm, jeta e tij personale ishte larg shkëlqimit të ekranit.

Sëmundja që shënjoi fëmijërinë

I lindur në Kaliforninë Jugore në vitin 1936, Redford u prek nga një formë e lehtë e poliomielitit pas një noti në oqean – në një kohë kur vaksina e Jonas Salk ende nuk ekzistonte. Kjo eksperiencë e hershme ndikoi ndjeshëm në ndjeshmërinë e tij ndaj sfidave shëndetësore.

Një rini e trazuar dhe e mbushur me rebelim

Gjatë shkollës së mesme, ai u përfshi në një bandë rruge dhe u arrestua për një makinë të “huazuar”, në bagazhin e së cilës u gjetën bizhuteri të vjedhura. Megjithatë, sporti i dha një mundësi një bursë bejsbolli në Universitetin e Kolorados – që humbi për shkak të jetës së shfrenuar me alkool dhe festa. Pas vetëm 18 muajsh, u përjashtua nga kolegji.

Humbja e nënës dhe plagët e pashërueshme

Në vitin 1955, kur ishte vetëm 18 vjeç, Redford humbi nënën e tij, Martha Hart, për shkak të një hemorragjie pas lindjes së binjakëve që ndërruan jetë menjëherë pas lindjes. Ai e konsideronte këtë humbje si “të padrejtë” dhe shpesh e përkujtonte në intervista publike.

Tragjedi të njëpasnjëshme në jetën familjare

Pas udhëtimeve në Evropë dhe studimeve në art në Paris, Redford u kthye drejt aktrimit dhe më pas u martua me Lola Van Wagenen në vitin 1958. Por edhe jeta familjare e tij u shënua nga dhimbje të mëdha.

Djali i tij i parë, Scott, ndërroi jetë në moshën vetëm 10-javëshe për shkak të sindromës së vdekjes së papritur të foshnjës (SIDS). Djali tjetër, Jamie, vuajti për vite me radhë nga probleme të rënda shëndetësore dhe ndërroi jetë në vitin 2020 nga kanceri, në moshën 58-vjeçare. Vajza e tij Shauna u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik dhe humbi partnerin e saj në mënyrë tragjike.

Redford ka pranuar se këto humbje dhe sfida personale e formësuan botëkuptimin dhe qasjen e tij ndaj jetës dhe artit, edhe pse rrallë i shfaqte këto emocione në publik.

Një trashëgimi që sfidon kohën

Pavarësisht tragjedive, Redford ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme në kinematografi. Ai u bë i njohur për rolet në filma legjendarë si Butch Cassidy and the Sundance Kid, The Sting, All the President’s Men dhe shumë të tjerë. Si regjisor, ai fitoi çmime prestigjioze, përfshirë edhe Oscar-in për filmin Ordinary People.