“Dy shtëpi më mirë se një e stresuar”, Ajlin Petrela flet për ndarjen nga Erion Isai

Ajlin Petrela, regjisorja dhe ish-bashkëshortja e aktorit të humorit dhe kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, ka folur për herë të parë rreth arsyeve që çuan në fundin e martesës së tyre. Ata janë prindër të dy vajzave, Ajër dhe E’dua.

Në një intervistë për MCN, Petrela theksoi se vendimi për ndarjen u mor nga të dy dhe kishte si prioritet mirëqenien e vajzave. “Ishte vendim i marrë nga të dyja palët, më mirë vajzat të jetojnë të lumtura me dy shtëpi se sa të stresuara në një shtëpi”, tha ajo, duke shtuar se nuk donte që vajzat të përjetonin trauma nga skenat që mund të shihnin mes prindërve.

Ajlin Petrela theksoi gjithashtu se marrëdhëniet me Erion Isain janë të qeta dhe respektuese për hir të vajzave.

Regjisorja zbuloi se është në një marrëdhënie dashurie, por partnerin e ri e ka njohur përmes rrjeteve sociale dhe e mban identitetin e tij të fshehtë për të ruajtur privatësinë. “Sapo jemi kthyer nga një udhëtim. Personi që kam në krah nuk ka lidhje me botën e medias, mundohemi ta mbajmë të izoluar”, tha ajo.

Sipas saj, lidhja ka nisur rreth 9 muaj më parë dhe ka qenë një sfidë të fillojë një kapitull të ri duke qenë nënë e dy vajzave, por tashmë ajo dhe partneri i ri kanë arritur të organizojnë jetën personale larg mediave.

Edhe kryebashkiaku Erion Isai ka reaguar lidhur me ndarjen, duke konfirmuar se martesa e tij me Ajlin Petrelën ka përfunduar zyrtarisht në prill 2024, me dakordësi dhe respekt për parimet e përbashkëta. Ai theksoi se për dy vitet e fundit i është përkushtuar rolit të tij si baba dhe përpiqet të bëjë më të mirën për vajzat e tij.