Nga Fatmir Popja
Në një akt të jashtëzakonshëm solidariteti, dashurie dhe lidhjeje shpirtërore mes Shqipërisë dhe diasporës, qyteti i Belshit u kthye këtë fundjavë në një stacion të veçantë të dashurisë njerëzore dhe të promovimit të vlerave të mirëfillta kombëtare.

Nën iniciativën e shoqatës “Vatra Shqiptare” me qendër në Lugo të Italisë, 30 fëmijë me aftësi ndryshe nga komuna Lugo e Italisë të shoqëruar nga prindërit dhe përfaqësues të shoqatës, nisën një udhëtim disa ditor në qytetet Elbasan, Durrës, Belsh, Fier dhe Vlorë.Vizita e parë e këtij grupi të veçantë ishte Belshi, ku mikpritja dhe dashamirësia e vendasve dhe autoriteteve zyrtare vendore nuk munguan. Kreu i Bashkisë së Belshit, z. Arif Tafani, priti me ngrohtësi dhe emocione të forta vizitorët e pazakontë nga vendi fqinj duke e cilësuar këtë ditë si një prej më të veçantave për qytetin turistik të Belshit. Tafani theksoi rëndësinë e kësaj nisme duke vlerësuar përkushtimin e shoqatës “Vatra Shqiptare” dhe veçanërisht të presidentit të saj, z. Dritan Ferhati një emigrant i hershëm ky në Itali i cili ka bërë organizimin me përpikmëri të këtij udhëtimi të mbushur me qëllime edukative, kulturore dhe turistike.Ndërsa fëmijët me aftësi ndryshe nga Italia dhe prindërit e tyre vizituan qytetin dhe u njohën me mrekullitë natyrore dhe kulturore të Belshit , “Perlën Karstike të Mesdheut” ,emocionet ishin të dukshme në çdo hap. “Nuk kam fjalë për të përshkruar mikpritjen që na është bërë këtu,” tha një prej anëtareve të moshuara të grupit italian, e prekur nga ngrohtësia që ndjeu në Belsh.Kjo vizitë nuk ishte vetëm një udhëtim turistik ,ishte një ndërlidhje shpirtërore mes një komuniteti që jeton jashtë atdheut dhe vendit mëmë që hap dyert gjithmonë me dashuri.Kjo nuk është hera e parë që Belshi dhe komuna Lugo e Italisë ndërveprojnë në mënyrë kaq domethënëse. Disa muaj më parë në kuadër të festave kombëtare të Shqipërisë, vetë kryetari i bashkisë Belsh ,Arif Tafani ishte i pranishëm në Lugo për të takuar komunitetin shqiptar atje dhe për të shprehur mirënjohjen për mikpritjen e jashtëzakonshme që qytetarët italianë u kanë ofruar emigrantëve shqiptarë.Në atë vizitë, Tafani dha një mesazh të fortë për vlerësimin e identitetit, të gjuhës dhe të kulturës. Ai vlerësoi hapjen e shkollës së parë shqipe në Lugo ,një arritje madhore e komunitetit të emigrantëve shqiptarë për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare. Kjo shkollë e inaguruar në vjeshtën e vitit 2024, gjatë kremtimeve të 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë tashmë është kthyer në një simbol të fuqishëm të bashkëjetesës dhe krenarisë shqiptare në Itali.Me përkushtimin e mësueseve dhe mbështetjen e fortë të komunitetit, shkolla shqipe në Lugo ofron më shumë se mësim në gjuhën amtare ,ajo ofron një lidhje të gjallë me rrënjët, historinë dhe shpirtin e një kombi. Fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Itali mësojnë gjuhën e nënës e të gjyshërve, në mënyrë që të mos humbin identitetin e tyre kombëtar, ndërsa gratë shtëpiake shqiptare në Lugo po përfitojnë gjithashtu nga mundësia për të mësuar gjuhën italiane ,një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë.
Binjakëzimi i qytetit të Belshit me komunën italiane të Lugos nuk është vetëm formalitet protokollar ,është një marrëdhënie që frymon, rritet dhe zhvillohet përmes projekteve konkrete, si shkolla shqipe, vizitat kulturore dhe bashkëpunimet institucionale. Kjo lidhje simbolizon më shumë se një bashkëpunim ndërkomunal ,ajo përfaqëson unitetin mes shqiptarëve kudo që ndodhen dhe dëshirën për të qenë ambasadorë të vërtetë të kulturës, dashurisë dhe mirënjohjes.
Në fund të takimit, kryebashkiaku Arif Tafani i emocionuar kur ndodhej në Lugo të Italisë risolli vargjet e pavdekshme të rilindasit të madh Naim Frashëri.“Vëllezër shqipëtarë!
Qasuni, më dëgjoni,
Sa të mundeni më parë,
Gjuhën tuaj mësoni…”
Një mesazh i thjeshtë, por thellësisht i fuqishëm, që kumbon si një thirrje për vetëdije kombëtare dhe ruajtje të trashëgimisë sonë.Ndërkohë ,udhëtimi i fëmijëve me aftësi ndryshe nga Lugo e Italisë në Shqipëri është më shumë se një vizitë ,është një histori e bukur njerëzore, një rrëfim i gjallë i asaj që ndodh kur bashkëpunimi, dashuria dhe përkushtimi bashkohen për të ndërtuar ura miqësie që i rezistojnë kohës dhe kufijve.Shoqata “Vatra Shqiptare” me qendër në Lugo të Italisë po i shërben në mënyrën më të mirë qëllimeve për të cilin u krijua. Kjo shoqatë po kontribuan në çdo aspekt.Së fundi me kontributin e emingantëve kjo shoqatë i dhuroi bashkisë Belsh edhe një makinë teknologjike për grumbullimin e mbetjeve urbane dhe në të ardhmen kontributet e saj do të jenë të jashtëzakonshme .