Në një takim të ngrohtë me banorët e lagjes “5 Maji” në Elbasan, Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja dhe deputetja Evis Kushi kanë shprehur publikisht dhe fuqishëm mbështetjen e tyre për kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, dr. Florenc Spaho.

Kryebashkiaku Llatja, duke u ndalur te transformimi i lagjes “5 Maji”, theksoi se kjo zonë ka qenë dikur krejtësisht informale, ndërsa sot është investuar ndjeshëm në infrastrukturë, kanalizime dhe ndriçim. “Zhvillimi nuk ndalet këtu – investimet do të vijojnë. Por për të vazhduar këtë rrugë drejt Bashkimit Europian, na duhet mbështetja juaj dhe mbështetja për Florenc Spahon,” u shpreh Llatja.

Deputetja Evis Kushi vlerësoi përkushtimin dhe besnikërinë e banorëve të kësaj zone ndaj Partisë Socialiste, duke falënderuar gjithashtu edhe kryetarin Llatja për punën konkrete në përmirësimin e kushteve të jetesës. “Florenc Spaho është jo vetëm një mjek i nderuar, por edhe një përfaqësues dinjitoz i qytetit tonë në Kuvend. Bashkimi Europian është objektivi ynë dhe për ta arritur këtë, kemi nevojë për njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar si Florenci,” u shpreh Kushi.

Florenc Spaho, i cili kandidon në zonën elektorale që përfshin Rajonet 4-5-6, deklaroi se përgjegjësia që i është besuar për herë të tretë nga Kryeministri Edi Rama është një sfidë që ai e përqafon me përulësi dhe vendosmëri. “Unë nuk i shmangem përgjegjësive. Besimi juaj është detyrimi im. Do të jem zëri juaj në Kuvend – me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për Elbasanin,” theksoi ai.
Në mandatin e ardhshëm, këto rajone do të kenë fatin të përfaqësohen nga dy deputetë të Partisë Socialiste – Evis Kushi dhe Florenc Spaho – një garanci e fortë për vazhdimësinë e punës dhe përfaqësimit të denjë të qytetarëve të Elbasanit.