Rikonstruktohet shkolla profesionale “Salih Ceka” në Elbasan, Balla: Ofertë shumë e mirë për t’i garantuar kujtdo një profesion

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga deputetët Evis Kushi, Florenc Spaho dhe Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja inspektuan nga afër punimet që po kryhen për rikonstruksionin e shkollës profesionale “Salih Ceka” në Elbasan.

Në fjalën e tij, Balla tha se janë 650 nxënës, prej të cilëve 130 vajza, të kësaj shkolle që tashmë do të mësojnë në kushte optimale, përfshirë, pjesën më të rëndësishme, atë të laboratorëve.

“I kemi ndjekur hap pas hapi punimet në këtë shkollë sepse është një prej shkollave më të mëdha profesionale në vend.

Kjo është faza e dytë e një investimi të rëndësishëm. Investojmë rreth 1.1 milionë euro në këtë shkollë. Është një rikonstruksion total që nis nga forcimi i strukturës, e deri tek sistemet e ngrohjes. Synojmë gjithashtu ta pajisim shkollën me të gjithë laboratorët modernë sikurse bëmë edhe me shkollën “Ali Myftiu”.

Shkolla profesionale është sot një ofertë shumë e mirë për t’i garantuar kujtdo një profesion. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se ka plot djem e vajza të cilët nuk plotësojnë kushtet për në universitet, por mund të jenë profesionistë shumë të zotë”, theksoi Balla.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, në fjalën e tij vuri në dukje bashkëpunimin shumë të mirë mes shkollave profesionale, Qendrës së Formimit profesional, Zyrës së Punës dhe bizneseve.

Shkolla profesionale “Salih Ceka” në Elbasan nxjerr profesionistë të rinj në drejtimet: teknologji informacioni dhe komunikimi, tekstil konfeksione, ekonomi biznes, hoteleri turizëm dhe instalues të sistemeve termohidraulike.