Lajmi i mirë për Elbasanin, Kuvajti investon për ndërtimin e 5 qendrave shëndetësore dhe…

Ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al-Jassim zhvilloi sot një vizitë në Elbasan, ku nënshkroi kontratën e bashkëpunimit për ndërtimin e 5 qendrave shëndetësore. Në një takim me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, Ambasadori pohoi se “Shteti i Kuvajtit megjithëse është kohë pandemie nuk do të reshtë së mbështeturi Bashkinë Elbasan, nëpërmjet Qendrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar e cila është partner i Ambasadës së shtetit të Kuvajtit në vendin tonë”.

Në vijim, Ambasadori i Kuvajtit falënderoi pesë familjet kuvajtiane, që sipas tij, “morën përsipër ndërtimin e këtyre 5 qendrave në bashkinë e Elbasanit, por edhe ato familje që kanë kontribuar në projekte të mëparshme të cilat janë implementuar në bashkinë Elbasan”. Duke premtuar se në të ardhmen do të ketë edhe projekte të tjera, Ambasadori shtoi se “shteti i Kuvajtit do të jetë gjithnjë partner i rëndësishëm në bashkinë e Elbasanit”.

Ndërsa kreu i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja e cilësoi fitore firmosjen e kësaj marrëveshjeje. Sipas tij, “ kjo marrëveshje konsiston në nisjen e punimeve në qendrën Shëndetësore të njësisë administrative Labinot-Fushë, e cila deri më sot ka pasur problem në infrastrukturë. “Janë pesë qëndra shëndetësore të cilat ne kemi firmosur marrëveshjen sot, për t’i hapur rrugë ndërtimit të tyre”, tha Llatja.

Ai u ndal edhe tek dëmet e shkaktuara nga tërmeti i një viti më parë, ku Bashkia e Elbasanit pësoi dëme edhe në institucione shtetërore. “Kemi lobuar dhe po vazhdojmë për të parë mundësinë e rikonstruksionit të shkollës së Treganit, e cila është prekur nga tërmeti. Pavarësisht se bashkia e Elbasanit nuk është një bashki përfituese e fondeve të donatorëve të ndryshëm për rindërtimin, ne po përpiqemi të gjejmë donatorë me qëllim që të riparojmë dëmet e krijuara nga tërmeti i vitit të kaluar sidomos në institucione shtetërore”, tha kreu i bashkisë.

Sipas tij, “aktualisht në bashkinë Elbasan janë pesë shkolla të cilat duhen ristrukturuar, dhe nga Ambasadori i Kuvajtit morëm mbështetjen se do të bëjmë diçka për të gjetur financim për riparimin e tyre. “ Shteti i Kuvajtit gjithmonë ka qenë pjesë me donacionet e tij në projektet zhvillimore të bashkisë Elbasan”, shtoi ai.

Në vijim të vizitës së tij në Elbasan, Ambasadori i Kuvajtit mori pjesë në inaugurimin e shkollës fillore “Musa Beqiri” në Labinot-Mal. Kjo shkollë u restaurua plotësisht me donacion të drejpërdrejtë nga Ibdisam Al-Huti, bashkëshortja e ambasadorit të Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al-Jassim.

Gjithashtu Ambasada e Shtetit të Kuvajtit do të financojë nëpërmjet Fondacionit ICC Albania edhe 3 shkolla fillore dhe një 9-vjeçare, investime këto shumë të domosdoshme për bashkinë Elbasan.