Elbasani “shfryn” ndaj Maliqit , fiton thellë 5 me 0

Elbasani ka shkatërruar thellë 5 me 0 ekipin e Maliqit, në sfidën e luajtur në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”, aty ku nuk mungoi edhe prezenca e tifozëve elbasanas që ndoqën nga afër takimin. Një ndeshje e dominuar totalisht nga të besuarit e Gentian Stojkut, të cilët e zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë me dopietën e Arsen Lleshit dhe golin e Arsen Kasës. Në të dytën ka kohë edhe për golat e Koçit dhe Bilalit, si edhe një penalltie të humbur nga Peqini.

Elbasani kërkonte patjetër tri pikët në këtë ndeshje dhe për këtë arsye verdheblutë hyjnë në fushë që në minutat e para për të gjetur sa më parë golin e avantazhit. Pas presingut të vazhdueshëm brenda dy minutash elbasanasit do të shënonin dy herë me të njëjtin autor, Arsen Lleshin. Në fushë ka vetëm një skuadër dhe elbasanasit shohim t’i anulohet një gol për pozicion jashtë loje të Gavës. Gjithsesi, katër minuta nga fundi i pjesës së parë, është Arsen Kasa që hipotekon fitoren në këtë përballje. Edhe e dyta nis me një Elbasan më kërkues dhe shumë shpejt gjen golin, kësaj here me autor Ledio Koçin, duke i dërguar shifrat në 4 me 0.

Miqtë duken të dorëzuar totalisht, teksa në të 68-ën vjen edhe goli i pestë me anë të Dejvi Bilalit. Elbasani është zot i fushës, teksa ka mundësi për një tjetër gol, por penalltia e goditur nga Peqini ndalet në tranversë. Mbyllet gjithçka në shifrat 5 me 0, me Elbasanin që bën menjëherë autokritikë pas atij barazimi pa gola nje javë më parë me Devollin.

Për sportistët, skuadra është në rrugën e duhur dhe kjo fitore mban lart edhe moralin e grupit.  

Ndeshjen e radhës Elbasani do ta luajë në transfertë përballë Delvinës, me synimin e vetëm për të koleksionuar tri pikët e radhës.