Deri kur kështu? Nafta sapo arriti çmimin 290 lekë për litër

Nuk ndalet shtrenjtimi i naftës në Shqipëri. Ky është jo vetëm lajmi i ditës, por edhe i muajit në Shqipëri. Çmimi i saj sot ka arritur në plot 290 lekë, ose 100 lekë më shumë se disa ditë më parë.

Ky shtrenjtim vjen në kushtet kur ligji shqiptar detyron kompanitë të kenë rezerva 90 ditore, që në rast krizash të mos ketë luhatje çmimesh. Por kjo nuk ka ndodhur.

Ndërsa qytetarët janë të shqetësuar për këtë rritje të vrullshme, Luigj Aliaj, drejtuesi i shoqatës së hidrokarbureve, ka paralajmëruar në daljen në Top Channel se pronarët e karburanteve kanë marrë furnizimet e reja dhe do të ketë sërish rritje nafte në ditët në vazhdim.

“Pronarët e kompanive nuk kanë se çfarë bëjnë. Nuk kemi se çfarë bëjmë, duhet të rrisim naftën”, – tha ndër të tjera ai.

Aktualisht, nafta po tregtohet me çmime të ndryshme nga 260 deri në 290 lekë. Benzina gjendet edhe me 249 lekë, por ajo përdoret nga më pak mjete.

Vlen për t’u përmendur fakti që në Shqipëri ka patur luhatje të llahtarshme edhe për vajin e gatimit, bukën, miellin dhe produkte të tjera ushqimore.