Kombëtarja shqiptare do ta zhvillojë sonte miqësoren e parë të muajit qershor.
Kuqezinjtë kanë ushtruar në ditët e fundit nën urdhrat e trajnerit Sylvinho në Stegersbach të Austrisë për t’u bërë gati për miqësoret e këtij muaji, por mbi të gjitha për angazhimet që do t’i kenë në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.
Trupa e trajnerit brazilian është gati të zbresë sonte në fushën e blertë për ta testuar veten në miqësoren me Lihtenshtajnin, e cila do të luhet në stadiumin “Haladas Sportcomplex” të Hungarisë.
Më pas, Kuqezinjtë do të rikthehen sërish në bazën stërvitore pas kësaj sfide për të vijuar me përgatitjet, njofton Federata Shqiptare e Futbollit, përcjell “Gazeta Express”.
Miqësorja e dytë e qershorit do të luhet në të njëjtin stadium më datë 7 qershor dhe starton në ora 19:00.
Pas kësaj ndeshjeje kombëtarja do të transferohet në Kaizerau, ku do të qëndrojë përgjatë gjithë Euro 2024.
Ndeshja e sontme ndërmjet Shqipërisë dhe Lihtenshtajnit do të nisë në orën 20:00. /Gazeta Express/