Lois Walker nuk e kishte menduar kurrë që fati do ta përballte për herë të dytë me betejën më të vështirë të jetës, atë me shëndetin. Gruaja britanike, e cila prej pak vitesh kishte mposhtur kancerin e lëkurës, do ta gjente veten sërish në një shtrat spitali, e diagnostikuar me kancer në vezore. Tridhjeteshtatëvjeçarja e zbuloi sëmundjen e rëndë pasi solli në jetë djalin e saj Ray. Mjekët që asistuan në lindjen me prerje cezariane, vunë re se kanceri i fazës së katërt kishte prekur vezoret, si dhe ishte shpërndarë në nyjet limfatike dhe mukozën e barkut.
Lois pretendon se kjo sëmundje mund të parandalohej nëse do të kapej në kohë dhe ka nisur një betejë të gjatë ligjore me mjekun që u kujdes për të gjatë gjithë shtatzënisë. Nëna e tre fëmijëve e ka bërë publike historinë e saj, ku ndër të tjera ka thënë se mjeku i familjes nuk i kishte marrë seriozisht shqetësimet e vazhdueshme të stomakut, duke i ngatërruar ato me ankthin.
“Jam paraqitur më shumë se 20 herë në urgjencë, por askush nuk më mori seriozisht. Mjekët mendonin se isha hopokondriake (Shënim: Hipokondria është formë e çrregullimit që karakterizohet me frikë të pabazuar se personi vuan nga një sëmundje). Më dhanë Citalopram, ilaç që përdoret për trajtimin e depresionit, por dhimbja sa vinte dhe shtohej. Kur dhimbja më në fund u bë e padurueshme, u thashë mjekëve se do të vrisja veten nëse nuk më merrnin seriozisht.”-tregon ajo.
Pasi mjekët zbuluan vitin e shkuar kancerin në vezore, mamaja e re bëri dy operacione dhe iu nënshtrua trajtimeve të vazhdueshem të kimioterapisë, por mjekët nuk mund të bëjnë asgjë për ta shpëtuar.
“Po lë pas tre fëmijë. Nuk do të kem mundësi t’i rris, të marr pjesë në diplomimet e tyre, s’do të bëhem kurrë gjyshe dhe për këtë fajësoj shërbimin spitalor NHS. Nëse mjekët nuk do të kishin injoruar dhimbjet e mia, jeta ime do të ishte ndryshe”-përfundon ajo.