Lisa Walker, 49 vjeç, nga Rainham në lindje të Londrës, ka luftuar me kumarin për më shumë se një dekadë. Vesi i saj u bë i pashmangshëm në fund të të 20-tave, pasi fitoi një shumë të madhe parash duke luajtur poker.
“Fitova mbi 127,000 £ në një natë. Ajo ishte nata më e keqe e jetës sime, sepse atëherë varësia ime doli jashtë kontrollit. Kazinoja donte të kthehesha dhe më ofruan gjithçka që doja për të më joshur: pije dhe ushqime falas”.
Ajo thotë se shkonte shpesh atje dhe futej në sallën qendrore të bingos dhe dyqanin e basteve, për të ushqyer atë që ishte bërë një zakon i dëmshëm. “Në kohën më të madhe të ditës mendoja për lojërat e fatit dhe shumicën e ditëve luaja kumar. Arrita në një fazë ku mbeta pa para fare.”
Përfundimisht, ajo humbi të gjitha paratë dhe shtëpinë e saj, pasi e ri-hipotekoi për të vazhduar me lojërat e fatit. Ajo përfundoi duke qëndruar në një hotel për disa kohë me dy fëmijët e saj, të cilët në atë kohë ishin 10 dhe 11 vjeç.
Në moshën 45-vjeçare, varësia e Lizës vazhdoi. Ajo madje zgjodhi të martohej me partnerin e saj në një vend në Las Vegas, më pas e kaloi natën e dasmës duke luajtur bixhoz në kazino në vend që të festonte me dhëndrin dhe të ftuarit. Kur u kthye nga Vegasi, Lisa kuptoi se kishte nevojë për ndihmë, pasi bixhozi e kishte çuar në një “vend të thellë dhe të errët” ku nuk mund të mendonte për asgjë tjetër.
Lisa vendosi të marrë pjesë në një takim të Kumarxhinjve Anonim, ku ishte një nga dy gratë midis 35 burrave. Ajo tani shkon në mbledhje çdo javë. Ende nuk e ka kaluar tërësisht varësinë, por thotë që ato takime e kanë ndryshuar shumë jetën e saj.