Aktivitetet për festën pagane të “ Ditës së Verës” kanë nisur që në datën 4 mars, 10 ditë para se kjo ditë të festohet thuajse në të gjithë vendin.
Elbasani është qyteti që edhe ka origjinën Dita e Verës, një festë me origjinë pagane, ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë ardhjen e stinës së pranverës”.
Në këtë kuadër bashkia e Elbasanit nën kujdesin e veçantë të kryetarit, Gledian Llatja ka hartuar një program të detajuar dhe me plot larmi aktivitetesh kulturore, sportive, letrare dhe artistike.
Festa ka nisur që sot në qytet, ku ka pasqyruar edhe programin e festimeve të “ Java e Verës 2020”. Më konkretisht ka nisur në ambientet e Parkut Rinia të qytetit një sërë aktivitetesh ku fëmijët e kopshteve kanë organizuar mini shfaqje me kërcime, këngë dhe dramatizime, aktivitete sportive si dhe ekspozita të vetë fëmijëve. Gjatë 10 ditëve në vijim do të kenë larmi aktivitetesh në qytet, ku vlen të përmenden panaire ushqimesh të realizuara nga vetë fëmijët e shkollave, ekspozita me piktura, balonat e dëshirave, konferena me temë” Dita e Verës”.
Edhe biblioteka e qytetit Qemal Baholli këto ditë do të presë botues dhe autorë të shumtë të cilët do të promovojnë librat e tyre me temën kryesore Elbasanin. Festimet do të vijojnë duke u shtuar në datën 10 e në vijim, ku në Sheshin Gensher, teatrin “ Skampa” tek muret e kalasë së qytetit do të promovojnë prodhimet e tyre artizanale dhe industriale, por jo vetëm biznese dhe artizanë të qytetit. Data 14 Mars do të jetë edhe kulmi i festimeve, ku me qindra turistë nga vendi dhe të huaj do të festojnë “ Ditën e Verës” në këtë qytet aty edhe ku kjo ditë ka lindur. Koncerte, teatro të lëvizshme, karnavalet e shkollave, çiklizmi e të tjerë do të jenë një sërë aktivitetesh që bashkia ka programuar të organizojë në këtë ditë.
Në vitet 1920-1940 festimet nisnin në datën 13 mars, amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma ( përshesh me gjel deti) dhe më pas niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishe nga një copë gjel deti, pala fiku, tre, katër kokrra arra, ballakume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj.
Ndërsa në çdo dyqan ëmbëlsirash dhe jo vetëm ka nisur të tregëtohet ëmbëlsira e ballakumes, e gatuar nga amvisat e Elbasanit që karakterizon edhe ardhjen e verës.