Ceremoni madhështore e diplomimit të studentëve të Universitetit “ Aleksandër Xhuvani” ( Foto)

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” , zhvilloi Ceremoninë e diplomimit të studentëve për vitin akademik 2018-2019.

I impresionuar nga pjesëmarrja masive e studentëve, prindërve, personelit akademik, pushtetarëve vendorë dhe dashamirësve të këtij Universiteti, rektori i Universitetit Skender Topi ka falënderuar të pranishmit për konsideratën dhe vlerësimin që kanë për këtë institucion të arsimit të lartë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, ai bëri një përshkrim të asaj që e cilësoi si “rrugëtim të shkëlqyer”  duke synuar dhe realizuar mbështetjen e pakufishme për studentët dhe personelin.

Prof. dr. Skender Topi evidentoi hartimin dhe zbatimin e strategjisë së zhvillimit me në qendër studentin në çdo fakultet; ngritjen e strukturave si Këshillin Studentor, Këshillimin e Karrierës, njësimin e kurrikulave universitare me ato evropiane.

Një tjetër element i rëndësishëm në fjalën e tij ishte edhe akreditimi i Universitetit të Elbasanit, specializimet e studentëve dhe personelit akademik në universitetet më të mira të botës, marrëveshjet e bashkëpunimit dhe ndërkombëtarizimi i Universitetit të Elbasanit, afrimi i programeve të studimit me tregjet e punës dhe punësimi i studentëve të sapodiplomuar etj. Rektori prof. Dr. Skender Topi e ka mbyllur fjalën me shprehjen e famshme të Xhon Dju: “Edukimi nuk është përgatitje për jetë; edukim është vetë jeta”.  Zëvendësrektori prof. as. dr.  Peçi  Naqellari, u shpreh në fjalën e tij se “sot jemi një universitet në shërbim të  komunitetit, që e vë dijen dhe shkencën  në funksion të integrimit dhe zhvillimit të vendit.” 

Më tej ai evidentoi se, nëpërmjet një game të gjerë programesh studimi (rreth 100 programe), personeli akademik i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është i angazhuar të përgatisë studentët të jenë reflektues përmes të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Nuk do të jetë hera e fundit që flasim e komunikojmë së bashku. Në UE ku ju u formuat do të gjeni kurdoherë bashkëpunëtorë, këshilltarë, mësues, kolegë ndonjëherë edhe oponentë. Ju mirëpresim gjithmonë mes nesh për të kontribuar së bashku edhe me realizimet dhe eksperiencat tuaja të reja në formimin sa më të lartë të brezave që vijnë pas jush si dhe në zhvillimet e ardhme të vendit, përfundoi zëvendësrektori prof. as. dr. Peç Naqellari.

Në këtë ceremoni përshëndeti Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i cili u shpreh se, Universiteti i Elbasanit është një pasuri e çmuar për qytetin duke e kthyer atë në kryeqytetin e edukimit.  Kryetari i Këshillit të Qarkut, Bukurosh Stafa, nënvizoi bashkëpunimin në nivel lokal duke e cilësuar atë si mjaft të suksesshëm.

 Deputetja e Elbasanit, zj. Evis Kushi, u shpreh se në këtë ceremoni përjetoi një emocion të dyfishtë, atë të deputetes, por mbi të gjitha atë si pjesëtare e personelit akademik të këtij Universiteti. Në emër të plejadës së vjetër të profesoratit përshëndet prof. dr. Ziso Thomollari.

Ceremonia ka vijuar me përshëndetjen e dekanëve. Për fakultetin e Shkencave të Natyrës përshëndeti prof. dr. Sotir Mali. Për Fakultetin e Shkencave Humane përshëndeti prof. as. Majlinda Peza. Për Fakultetin e Shkencave të Edukimit përshëndeti prof. as. dr. Valentina Haxhiymeri. Për Fakultetin Ekonomik përshëndeti prof. as. dr.  Imelda Sejdini.

Për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, përshëndeti prof. as. dr. Shkëlqim Hidri. Më pas dekanët lexuan emrat e studentëve të shkëlqyer të cilët morën certifikatat me motivacionin “Për arritje të larta akademike”.  Në fund, kjo ceremoni madhështore u mbyll me ritin e studentëve të diplomuar, hedhjen e kapeleve. /m.s/

elbasaninews