Projekti “Green Schoolyards” ka nisur së fundmi në shkollën “Sul Harri” në Elbasan, si një nismë që synon të sjellë më shumë gjelbërim dhe edukim mjedisor në ambientet shkollore. Kjo iniciativë pritet të shtrihet gradualisht edhe në shkolla të tjera të qytetit, duke u kthyer në një model të ri për edukimin e brezave të rinj.
Në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm, Bashkia Elbasan po zhvillon projekte që vendosin në fokus ndërgjegjësimin për mbrojtjen e natyrës dhe rëndësinë e kujdesit ndaj mjedisit që në moshë të hershme.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, thekson rëndësinë e këtij projekti për të ardhmen e qytetit. “Përmes nismës ‘Green Schoolyards’ synojmë të edukojmë fëmijët me vlerat e mbrojtjes së mjedisit dhe t’i bëjmë ata pjesë aktive të këtij procesi. Është e rëndësishme që ndërgjegjësimi të nisë që në bankat e shkollës,” u shpreh ai.
Sipas tij, qëllimi është krijimi i një brezi më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj natyrës. “Shkolla nuk duhet të jetë vetëm një hapësirë mësimi, por edhe një model edukimi për të ardhmen, ku fëmijët mësojnë si të kujdesen për mjedisin ku jetojnë,” shtoi Llatja.

Projekti synon jo vetëm përmirësimin e hapësirave fizike në shkolla, por edhe nxitjen e një kulture të qëndrueshme mjedisore tek nxënësit. Në këtë mënyrë, investimi tek edukimi i fëmijëve shihet si një hap i rëndësishëm drejt një Elbasani më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.