Në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, një tjetër iftar i madh ka bërë bashkë dhjetëra besimtarë agjërues në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, duke rikthyer në vëmendje jo vetëm vlerat e besimit, por edhe origjinën e një tradite që sot është përhapur në mbarë Shqipërinë.
Iftari u shtrua me bujari nga ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, një figurë e njohur fetare dhe komunitare, i cili prej vitesh mban gjallë këtë traditë të shkëlqyer në vendlindjen e tij. Në këtë mbrëmje të veçantë morën pjesë shumë besimtarë, por edhe personalitete të jetës publike, mes tyre edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Balla theksoi se pikërisht në Librazhd ka lindur ideja e organizimit të iftareve masive, si një mënyrë për të bashkuar njerëzit përtej dallimeve. Ai kujtoi se së bashku me Ylli Gurrën hodhën themelet e kësaj nisme në vitin 2006 plot 20 vite më parë , duke bërë bashkë jo vetëm besimtarë myslimanë, por edhe klerikë të besimeve të tjera, në një frymë bashkëjetese dhe harmonie. Sipas tij, edhe tradita e shtrimit të iftareve nga figura politike e ka zanafillën po në këtë bashki , duke u kthyer sot në një praktikë të përhapur në të gjithë vendin.

Nga ana e tij, Ylli Gurra shprehu mirënjohje për të gjithë të pranishmit, duke vlerësuar veçanërisht pjesëmarrjen e priftit Heliodor Demiri, si simbol i bashkëjetesës fetare. Ai theksoi se muaji i Ramazanit është një kohë reflektimi që i bën njerëzit më të mirë, më të dashur dhe më pranë njëri-tjetrit, duke forcuar lidhjet familjare dhe shoqërore.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.