Rrëshkitja e rrugës në Gjinar/ Reagon Bashkia Elbasan: Do të riparohet brenda….

Bashkia Elbasan ka reaguar në lidhje me rrëshkitjet e tokës në pjesën fundore të aksit rrugor Gjinar–Liqeni i Pashtreshit, duke sqaruar se është njohur me problematikën që në momentin e parë të shfaqjes së saj.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e bashkisë, në bashkëpunim me ata të kompanisë zbatuese të projektit, vlerësojnë se rrëshkitja ka ardhur si pasojë e erozionit. Për këtë çështje, me shkresën nr. prot. 6250, shqetësimi i është përcjellë investitorit dhe firmës zbatuese.

Bashkia bën me dije se objekti është ende brenda afatit të garancisë kontraktuale, çka do të thotë se kompania do të marrë përsipër të gjithë ndërhyrjen për riparimin përfundimtar të dëmit.

Aktualisht, është ndërhyrë me mbushjen e çarjes së krijuar në pjesën fundore të rrugës, duke mundësuar kalimin normal të mjeteve. Sipas bashkisë, në asnjë moment nuk është penguar qarkullimi.

Ndërhyrja përfundimtare pritet të realizohet gjatë muajve të verës, kur niveli i liqenit ulet, duke e bërë ndërhyrjen më efikase. Punimet do të përfshijnë disiplinimin e shtratit të liqenit si dhe sistemimin përfundimtar të segmentit rrugor.

Duke kërkuar ndjesë përdoruesve të rrugës për shqetësimin e krijuar, Bashkia Elbasan garanton se deri në realizimin e ndërhyrjes përfundimtare, aksi do të mirëmbahet për të qenë lehtësisht i kalueshëm.