Elbasan/ Ndërron jetë Bashkim Bakiu (Giçja), simboli i përkushtimit në Sportin e Vjetër

Me dhimbje të thellë komuniteti sportive i Elbasanit ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Bashkim Bakiut, i njohur nga të gjithë si Giçja – njeriu që për dekada i dha shpirt dhe jetë Sportit të Vjetër.

Giçja nuk ishte thjesht një emër i lidhur me një terren sportiv. Ai ishte vetë fryma e atij vendi. Ishte i pari që hapej dera e fushës në mëngjes dhe i fundit që largohej në mbrëmje. Me përkushtim të rrallë, ai u kujdes për çdo cep të terrenit dhe për çdo brez të ri që hodhi hapat e parë në sport, duke mbjellë tek ta dashurinë për lojën dhe disiplinën.

I njohur për thjeshtësinë, urtësinë dhe punën e palodhur, Bashkim Bakiu nuk kërkoi kurrë vëmendje apo duartrokitje. Megjithatë, ai fitoi respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve që patën fatin ta njohin. Për të, sporti nuk ishte vetëm garë – ishte edukim, bashkim, sakrificë dhe pasion.

Sot, largimi i tij lë një boshllëk të madh në komunitetin sportiv. Fusha do të duket më e heshtur pa praninë e Giçes, por kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten të gjalla në çdo ndeshje, në çdo brez sportistësh që u rritën nën kujdesin dhe shembullin e tij.

Ceremonia e varrimit pritet të bëhet e ditur nga familjarët.