Analiza vjetore e Prefekturës së Elbasanit: Fokus te rendi, siguria dhe emergjencat

Në Prefekturën e Elbasanit u zhvillua  analiza vjetore e punës, një moment i rëndësishëm reflektimi dhe planifikimi strategjik për vitin në vazhdim , në prani të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhemal Qefalia. Gjatë takimit u pasqyrua në mënyrë të detajuar puna e kryer përgjatë vitit të fundit, sfidat e hasura dhe prioritetet kryesore, me theks të veçantë te ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimi i situatave emergjente si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve.

Prefektura vlerësoi progresin e arritur në koordinimin mes institucioneve vendore dhe atyre qendrore, duke nënvizuar se reagimi i shpejtë dhe i organizuar ndaj emergjencave ka qenë një nga shtyllat kryesore të punës gjatë vitit. Po ashtu, u evidentuan edhe mësimet e nxjerra, të cilat do të shërbejnë si bazë për përmirësime konkrete në të ardhmen.

Zëvendësministri Qefalia theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit dhe profesionalizmit në përballimin e sfidave që lidhen me sigurinë dhe rendin publik, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e strukturave në qarkun e Elbasanit.“Një tjetër vit i analizuar, mësime të nxjerra dhe synime të reja përpara” – ishte mesazhi përmbyllës i këtij takimi, i shoqëruar me falënderime për gjithë ekipin e Prefekturës për punën dhe përkushtimin e treguar në shërbim të komunitetit.