I sh-trajneri i Elbasanit, Shkëlqim Lleshanaku, ka analizuar ecurinë e verdhebluve në këtë sezon të Superiores, duke u ndalur veçanërisht te barazimi i fundit përballë Partizanit, vështirësitë e skuadrës në menaxhimin e avantazhit, si edhe sfida e radhës kundër Teutës.
Me një vështrim realist dhe të matur, duke folir për “Panorama Sport”, Lleshanaku vlerëson pikën e marrë në kryeqytet, por njëkohësisht evidenton momentet kyçe që i mohuan Elbasanit fitoren, si dhe kontekstin gjithnjë e më të fortë të kampionatit shqiptar.
PARTIZANI – Duke folur për ndeshjen ndaj Partizanit, Lleshanaku e konsideron rezultatin si pozitiv për Elbasanin, sidomos në kushtet se si rrodhi loja dhe presionin që sjell një transfertë e tillë. ”Sipas meje, ishte një rezultat shumë i mirë për ekipin e Elbasanit, pavarësisht mënyrës se si erdhi loja. Deri në momentin e kartonit të kuq, skuadra kishte kontrollin e plotë të ndeshjes dhe po e administronte mirë ritmin.
Dalja me karton të kuq e dëmtoi ndjeshëm ekipin dhe ndryshoi balancat në fushë”, u shpreh ai. Ish-tekniku ndalet edhe te episodi vendimtar i penalltisë së humbur, që sipas tij do të kishte ndryshuar tërësisht historinë e takimit. ”Humbja e penalltisë nga Tsague ishte momenti që e dëmtoi më shumë Elbasanin, sepse një gol në atë moment do t’i jepte lojës një tjetër rrjedhë dhe ndoshta edhe rezultatin maksimal. Megjithatë, duke parë edhe rezultatet e tjera të javës, kjo pikë mbetet jashtëzakonisht e vlefshme”, thekson Lleshanaku.
NGËRÇI – Një nga problematikat që ka shoqëruar Elbasanin këtë sezon ka qenë ruajtja e rezultatit kur skuadra kalon në avantazh. Lleshanaku e sheh këtë çështje të lidhur ngushtë me nivelin e përgjithshëm të kampionatit. ”Duhet thënë se presidenca ka bërë përpjekje reale për të përforcuar ekipin me dy lojtarë cilësorë. Por nga ana tjetër, edhe kundërshtarët kanë rritur nivelin e tyre dhe kampionati është bërë shumë më i fortë”, analizon ai.
Sipas ish-trajnerit, kjo reflektohet qartë edhe në statistikat e javëve të fundit. ”Shohim shumë barazime, fitore minimale dhe pothuajse nuk ka më fitore me diferenca të mëdha golash. Kjo tregon sa i ekuilibruar është kampionati. Por, unë besoj se, pavarësisht gjithçkaje, skuadra do t’ia dalë të realizojë objektivat”, përfundon ai me optimizëm.
TEUTA – Sa i përket ndeshjes së radhës kundër Teutës, Lleshanaku nënvizon se në këtë fazë të sezonit nuk ekzistojnë më ndeshje të lehta, pasi çdo skuadër lufton për objektivat e saj. ”Nuk ka më ndeshje të lehta. Fitorja e Tiranës ka futur në valle shumë skuadra për mbijetesën, ndërsa pjesa tjetër po lufton fort për të siguruar ‘Final 4’”, shpjegon ai.
Megjithatë, sipas Lleshanakut, panorama e katërshes së parë është pothuajse e qartë. ”Mendoj se me rreth 90% katër ekipet e kanë siguruar ‘Final 4’-ën dhe më pas do të luftojnë mes tyre për titullin kampion”, përfundon ish-trajneri i Elbasanit, duke dhënë një pasqyrë realiste të garës në Superiore.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.