Ka ndryshime në drejtimin e shoqërisë policore “Illyrian Guard”. Enrik Banushi është larguar nga posti i drejtuesit, ndërsa sipas burimeve paraprake, në krye të shoqërisë është emëruar Florenc Spaho, ish-drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Florenc Spaho ka qenë deputet i Partisë Socialiste që prej vitit 2019, duke përfaqësuar qarkun e Elbasanit. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar, ai nuk arriti të siguronte një tjetër mandat, edhe pse grumbulloi 3 mijë e 95 vota preferenciale.

Më 22 korrik të këtij viti, Spaho u emërua në krye të QSUT-së, një nga institucionet më të mëdha dhe më të rëndësishme shëndetësore në vend, por qëndroi vetëm dy muaj në këtë detyrë, duke dhënë dorëheqjen pa u bërë publike arsyet zyrtare të largimit.
Shoqëria “Illyrian Guard” është shoqëria e parë aksionere me kapital 100 për qind shtetëror, e themeluar në vitin 2019. Ajo ofron shërbime sigurie dhe ruajtjeje fizike për institucione të rëndësisë së veçantë, kryesisht institucione shtetërore, si dhe në vijimësi edhe për biznese apo ndërmarrje private.
Florenc Spaho njihet si një figurë me eksperiencë në administratën publike dhe në drejtimin e institucioneve të mëdha. Emërimi i tij në krye të “Illyrian Guard” vjen në një moment kur siguria e institucioneve shtetërore mbetet një çështje me rëndësi të veçantë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.