Elbasan/ Nderohet matematicenia shqiptare me famë botërore, Prof. Dr. Fioralba Cakoni

Nën një atmosferë vlerësimi dhe respekti akademik, Prof. Dr. Fioralba Cakoni, një nga figurat më të njohura të shkencës shqiptare në fushën e matematikës, u nderua në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan për kontributin e saj akademik dhe shkencor.

Në takimin e dijes, krenarisë kombëtare dhe frymëzimit akademik, të organizuar nga Aneta Mihali Xhiku, u vu në dukje kontributi dhe roli i shkencës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Vlerësimi në qytetin e lindjes ishte ndër më emocionuesit për matematicienen.

“Fakti që u vlerësova në qytetin tim të Elbasanit, që më dha dashurinë për dijen, fakti që e gjithë shoqëria ime e Fakultetit të Shkencave është prezente dhe më vlerësoi për karrierën time në matematikë, është një gjë e mrekullueshme për mua, sepse shoh tani, pas kaq vitesh, pse jam unë kjo që jam sot, si nga ana profesionale, ashtu edhe nga ana e karakterit”, tha Prof. Dr. Fioralba Cakoni.

Organizatorja Aneta Xhiku, ndër të tjera, theksoi se rrugëtimi i Prof. Dr. Cakonit përbën një model frymëzimi për brezat e rinj, veçanërisht për studentët dhe vajzat që ndjekin shkencat ekzakte.

“Fioralba është gjithçka që një komb mund të ëndërrojë të ketë si përfaqësuese të vetën në botë. Jam shumë e gëzuar që, krahas nderit që i është bërë Fioralbës ndërkombëtarisht, sot u përjetua edhe momenti që ajo të nderohej në vendlindjen e saj, në Elbasan. Emocioni që përjetuam të gjithë bashkë, veçanërisht ajo vetë, ishte i jashtëzakonshëm. Askund më mirë sesa këtu, në djepin e dijes, në një qytet kaq të lashtë dhe të spikatur në art, kulturë e shkencë, nuk mund të zhvillohej një aktivitet me kaq shumë thellësi dhe domethënie”, tha Aneta Xhiku.

“Ndryshe nga shumë që janë këtu dhe vlerësojnë punën e Fioralbës dhe arritjet e mëdha të saj, ne, shokët e klasës, bashkë me mua, të gjithëve na mjafton vetëm emri Fioralba, sepse e dinim shumë mirë se çfarë po bënte ajo dhe e dinim këtë që atëherë”, tha një nga pjesmarrësit.

Një moment i veçantë gjatë takimit ishte takimi i Prof. Dr. Cakonit me Loris Qosen, 15-vjeçarin që fitoi olimpiadën në SHBA.

“Kur shikon që të rinjtë arrijnë arritje edhe më të mëdha se ne të brezit të mëparshëm, kjo është gjëja më e mrekullueshme që një matematikan mund të presë në karrierë. Shpresoj që Lorisi të vazhdojë rrugën e suksesshme që ka nisur dhe i uroj gjithë të mirat. Jam e sigurt që do t’i realizojë, sepse ka treguar se di të arrijë shumë edhe në këtë moshë kaq të re”, tha Cakoni.

Prof. Dr. Fioralba Cakoni është një nga matematikanet më të njohura shqiptare në botë.

Aktualisht, Prof. Dr. Fioralba Cakoni ushtron aktivitetin e saj si matematikane dhe eksperte e Teorisë së Shpërndarjes së Anasjelltë, si dhe është pedagoge në Universitetin Rutgers, në New Jersey, ku, krahas angazhimit akademik, vazhdon të promovojë me krenari emrin e Shqipërisë.