Elbasani është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë me skuadrën e Partizanit ditën e nesërme në transfertë.ben shimonNjë përballje që mund t’i vërë përfundimisht “vulën” edhe sigurimit të ndeshjes “Final Four”, sepse një fitore e verdhebluve do t’i nxirrte përfundimisht jashtë gare të kuqtë, të cilët janë një ndër rivalët që shpresojnë për këtë vend. Ndaj, në Tiranë do të shkohet vetëm për të marrë tri pikët.
Situata në përgjithësi është pozitive, teksa mungesa e vetme do të jetë ajo e Emiljano Mustës për shkak të kartonëve. Nga ana tjetër, i gatshëm është kapiteni Bruno Lulaj, i cili me Dinamon nuk u rrezikua dhe qëndroi në pankinë. Stafi teknik ka punuar veçanërisht në aspektin taktik, duke kërkuar përqendrim maksimal nga minuta e parë. Gjithashtu, atmosfera në grup vlerësohet mjaft e mirë, çka shihet si një plus i rëndësishëm për një ndeshje kaq delikate.
MESFUSHË “BLIND” – Reparti më i rëndësishëm në një ndeshje futbolli është ai i mesit të fushës. Aty, Elbasani duket se është “blinduar” një herë e mirë, sidomos me afrimin e senegalezit Insa Boje. Pikërisht për në qendër të mesit të fushës, Ivan Gvozdenoviç ka në dispozicion katër futbollistë thuajse të të njëjtit nivel, duke qenë se gjatë këtij sezoni ata kanë luajtur vazhdimisht. Bëhet fjalë për Ibrahim Abas, Arsen Kasa dhe Isi Manellari, ndërsa tani u shtohet edhe Insa Boje. Pritet një luftë sportive, sepse luhet vetëm për dy pozicione, por që me shumë gjasa mes kampionatit dhe kupës ka vend dhe minuta për të gjithë. Konkurrenca e shtuar pritet të rrisë edhe nivelin e performancës individuale të mesfushorëve. Në të njëjtën kohë, trajneri fiton më shumë alternativa për të ndryshuar skemën gjatë lojës.
LARGIMET – Me afrimin e Insa Boje dhe atij të Samuel Nongoh që pritet të mbërrijë në skuadër, Elbasani ka nevojë për të bërë dalje, sepse organika është e fryrë. Pas dështimit për huazimin e Antonio Delajt, ai që rrezikon të largohet është sulmuesi Roei Ben Shimon. Izraeliti ka rezultuar dështim, sepse nuk ka shënuar asnjë gol dhe ka luajtur shumë pak, ndonëse për pak kohë u privua nga dëmtimet. “Panorama Sport” mëson se 25-vjeçari ka dalë jashtë planeve, madje nuk ishte as në pankinë në ndeshjen me Dinamon. Klubi dhe ai kanë nisur tratativat për ta huazuar apo prishur kontratën, që e mban të lidhur deri në fund të vitit. Drejtuesit po shqyrtojnë disa opsione për të shmangur ngarkesën financiare të panevojshme. Vendimi final pritet të merret në ditët në vijim.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.