Me fillimin e këtij viti janë ndërmarrë ndryshime në drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Elbasan. Pas një periudhe të cilësuar si mjaft e suksesshme në krye të institucionit, arkitektja Brixhilda Biçaku është zëvendësuar nga detyra e drejtores, ndërsa do të vijojë angazhimin e saj në ASHK Elbasan si zv.drejtuese, post që e ka mbajtur edhe më herët.
Burime zyrtare bëjnë me dije se aktualisht në detyrë si drejtuese e komanduar e ASHK Elbasan është emëruar Ester Isai, punonjëse e këtij institucioni me një eksperiencë të gjatë dhe njohje të thellë të proceseve kadastrale. Komandimi i saj vjen në një moment kur ASHK Elbasan ka shënuar rezultate të rëndësishme në rritjen e shërbimeve dhe përmirësimin e administrimit të pronës.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 ASHK Elbasan ka evidentuar një rritje të ndjeshme të shërbimeve kadastrale, duke reflektuar përmirësim në eficiencë dhe akses për qytetarët. Krahasuar me vitin 2024, numri i shërbimeve të ofruara është rritur nga 73,353 në 90,210 shërbime, një rritje e konsiderueshme që dëshmon intensifikimin e punës dhe optimizimin e procedurave.
Po ashtu, një tjetër tregues domethënës është ai i legalizimeve. Gjatë vitit 2025 janë miratuar 1,864 vendime për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, pothuajse dyfish më shumë krahasuar me 757 vendime të miratuara gjatë vitit 2024. Këto shifra pasqyrojnë përpjekjet e institucionit për të zgjidhur problematikat e pronësisë dhe për të garantuar siguri juridike për qytetarët.
Ndryshimet në drejtim pritet të shoqërohen me vijimësi të reformave dhe fokus të shtuar në cilësinë e shërbimit, ndërsa komandimi i Ester Isait synon të konsolidojë arritjet e deritanishme dhe të çojë përpara objektivat e ASHK Elbasan në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm institucional.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.