Qarku i Elbasanit vijon të ndikohet nga moti i paqëndrueshëm, me reshje shiu të ulëta e mesatare, si dhe dëborë në lartësitë mbi 600 metra. Stacioni Meteorologjik Elbasan raportoi rreth 17 mm reshje shiu gjatë natës së kaluar, duke ndikuar në gjendjen hidrike dhe rrugore të zonës.
Nga komunikimet me Emergjencat Civile dhe Policinë Elbasan, konfirmohet prania e dëborës në njësitë administrative Labinot Mal, Gjinar, Funarë dhe Zavalinë të Bashkisë Elbasan. Trashësia e saj nuk i kalon 5 cm, duke siguruar qarkullim normal rrugor. Ndërkohë, përroi i Zaranikës është mbi mesataren, ndërsa lumi Shkumbin ka shënuar rritje të ndjeshme të prurjeve dhe nivelit krahasuar me një ditë më parë.
Në Bashkinë Cërrik, mbrëmjen e djeshme u ndërhye pranë stacionit elektrik të ish-uzinës së naftës për shkak të grumbullimit të ujit. Operacioni u krye me dy mjete zjarrfikëse, njëri prej të cilëve me mbështetjen e MZSH Elbasan.
Në Bashkinë Belsh, liqeni kryesor ka dalë nga shtrati, duke detyruar hapjen e portave të shkarkimit që prej ditës së djeshme. Kjo ka bllokuar segmentin rrugor Belsh–Trojas, i cili ndodhet nën ujë pas shkarkimit të digës së Trojasit. Reshje dëbore kanë nisur edhe në aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë, ku qarkullimi vijon me shpejtësi të reduktuar.
Sa i përket energjisë elektrike, moti ka shkaktuar stakime dhe defekte në zona malore si Stëblevë e Orenjë (Librazhd), Skënderbegas e Kukur (Gramsh), si dhe Klos e Mollas (Cërrik).
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.