Gvozdenoviç paralajmëron sfidë të fortë: Humbja me Bylisin mbyllet me Tiranën

Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka folur para ndeshjes së fundit të vitit ndaj Tiranës, duke theksuar përqendrimin maksimal të skuadrës.gvozdenovicAi pranoi humbjen e fundit, por bëri të qartë se tashmë vëmendja është plotësisht te sfida e radhës. Sipas tij, kjo ndeshje tashmë është lënë pas dhe skuadra është e fokusuar vetëm te përballja me Tiranën, që mbyll edhe vitin futbollistik. ”Vijmë pas një humbje kundër Bylisit, por ata e merituan, ishin më mirë sesa ne në atë ndeshje dhe e kemi pranuar. Tani e kemi lënë pas këtë gjë dhe tani jemi të fokusuar tek ndeshja e radhës me Tiranën, e cila është edhe e fundit për këtë vit”, u shpreh fillimisht serbi.

TIRANA – Trajneri i Elbasanit theksoi se nuk ka asnjë shqetësim në prag të kësaj sfide. Ai nënvizoi se ekipi do të kërkojë pikët maksimale, duke luajtur futboll të bukur dhe duke dhënë maksimumin në fushë. ”Nuk është se kam ndonjë merak, ne jemi të përqendruar për të marrë pikët, siç kemi bërë gjithnjë. Do të mundohemi të luajmë bukur në fushë, të bëjmë maksimumin dhe normalisht do të provojmë për ta fituar këtë ndeshje”, vijoi më tej. Gvozdenoviç vlerësoi Tiranën si një klub me emër dhe histori të madhe, duke e krahasuar ndeshjen me një derbi. Ai pret një përballje të fortë dhe interesante, por theksoi se objektivi i Elbasanit mbetet fitorja. ”Çdo ndeshje dhe çdo fazë është ndryshe. Fitorja e thellë ndodhi në fazën e parë dhe tani jemi në të dytën. Do të presim sërish një ndeshje tepër interesante, është si një derbi. Kemi shumë respekt për Tiranën si klub dhe si emër, pasi është emër i madh. E di që do të luhet një ndeshje e fortë, por siç e thashë ne do të kërkojmë të marrim pikët maksimale”, pohoi tekniku.

MESAZHI – Trajneri deklaroi se lojtarët janë të ndërgjegjshëm për situatën dhe përgjegjësinë që kanë. Ai shprehu besimin se Elbasani, pas një kampionati të mirë, mund ta mbyllë vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, me një fitore. ”Lojtarët e dinë dhe e kuptojnë situatën. Kemi bërë një kampionat të mirë dhe me ndihmën e Zotit ta mbyllim po kështu, me një fitore”, theksoi Gvozdenoviç.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL