Prag festash/ Spitali Rajonal Elbasan nis fushatën “Dhuro Buzëqeshje” për fëmijët e Pediatrisë

Spitali Rajonal Elbasan ka lançuar një nismë të veçantë për festat e fundvitit, me qëllim përcjelljen e gëzimit dhe mbështetjes te fëmijët e shtruar në repartin e Pediatrisë. Në kuadër të Krishtlindjes, institucioni fton qytetarët, bizneset dhe komunitetin të bashkohen për të dhuruar lodra, surpriza dhe pak më shumë shpresë për të vegjlit që po kalojnë ditët e festave larg shtëpisë.

Iniciativa synon të sjellë buzëqeshje dhe atmosferë festive për fëmijët që kanë më shumë nevojë për ngrohtësi dhe vëmendje gjatë kësaj periudhe.

Spitali apelon për solidaritet dhe përfshirje sa më të gjerë të qytetarëve në këtë akt human, duke theksuar se edhe një gjest i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për zemrat e vogla të Pediatrisë.