Punimet për ndërtimin e tregut të ri të frutave dhe perimeve në Rajonin nr. 1 po i afrohen përfundimit, duke sjellë një hapësirë moderne dhe të standardizuar për qytetarët dhe tregtarët e zonës.
Investimi ka përfshirë rindërtimin tërësor të markatës, si dhe sistemimin e sheshit të brendshëm në bllokun e pallateve, me synim garantimin e kushteve optimale të cilësisë dhe higjienës. Në këtë hapësirë do të operojnë 35 tregtarë, të cilët do të ofrojnë shërbim në një mjedis të rregulluar dhe të sigurt për konsumatorët.
Ky projekt është realizuar falë bashkëpunimit të Bashkisë Elbasan me IADSA, një partneritet që ka mundësuar transformimin e një zone të vjetër në një treg bashkëkohor.

Lidhur me projektin, kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh:
“Tregu i ri në Rajonin nr. 1 është një investim i rëndësishëm për komunitetin. Po krijojmë një mjedis të pastër, funksional dhe me standarde europiane, si për tregtarët ashtu edhe për qytetarët. Falë bashkëpunimit me IADSA, po e kthejmë këtë zonë në një hapësirë dinjitoze që i shërben përditshmërisë së banorëve,” – deklaroi Llatja.

Tregu pritet të hapet së shpejti, duke sjellë një rritje të cilësisë së shërbimit dhe funksionimit në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.