Promovohet libri “Evolucioni i Abetareve në Elbasan” në ambientet e Bibliotekës Qemal Baholli

Në ambientet e Bibliotekës së Elbasanit u zhvillua ceremonia e promovimit të librit “Evolucioni i Abetareve në Elbasan (nga nisjet tekstuale te ndikimi në arsim)”, një vepër studimore e autores Natasha Shuteriqi Poroçani dhe Shqipe Shyti Haxhihyseni.

Aktiviteti mblodhi së bashku mësues, studiues të arsimit, nxënës dhe dashamirës të librit, të cilët shfaqën interes të veçantë për hulumtimin e paraqitur në këtë botim, që ndriçon historikun, rrugëtimin dhe zhvillimin e abetareve në Elbasan – një qytet që ka pasur rol thelbësor në formimin e arsimit shqiptar.

Gjatë prezantimit, autoret theksuan rëndësinë e traditës arsimore të Elbasanit dhe ndikimin që abetaret e prodhuara në këtë qytet kanë pasur në edukimin e brezave ndër vite. Ato vunë në dukje kontributin e mësuesve elbasanas dhe institucionit të Normales si shtylla historike të arsimit kombëtar.

Promovimi u vlerësua si një ngjarje kulturore me rëndësi, që rikthen vëmendjen tek rrënjët e edukimit dhe tek zhvillimi i librit më të parë të fëmijërisë—abetareve.