Dhunës ndaj grave në Shqipëri po i ndryshon forma, por jo ashpërsia. Në Elbasan, gjatë vitit 2025, specialistët kanë vërejtur një fenomen të ri shqetësues. Dhuna fizike po zëvendësohet me dhunë dixhitale, një formë e fshehtë, por po aq shkatërruese. Organizatat që punojnë me gratë në këtë qytet raportojnë se rrjetet sociale janë kthyer në mjedisin kryesor të sulmeve, që shpesh degradojnë në kërcënime dhe përndjekje virtuale.
Sipas psikologes së Forumit të Gruas në Elbasan, Mirela Gjoni, rreth 80% e njohjeve online të grave shoqërohen me forma të ndryshme presioni, manipulimi dhe dhune psikologjike. Problemi nuk njeh kufij. Ai është përhapur në të njëjtën masë si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale.
Gjatë vitit 2025, 160 gra i janë drejtuar Bashkisë së Elbasanit për ndihmë, duke konfirmuar rritjen alarmante të rasteve dhe përhapjen masive të dhunës dixhitale. Vetëm në Forumin e Gruas në Elbasan gjatë këtij viti regjistrohen 260 raste të dhunës me bazë gjinore. Mesazhi që u dha nga zemra e Elbasanit ishte i qartë, se dhuna dixhitale nuk është thjesht një problem personal, por një plagë shoqërore që kërkon reagim të përbashkët. Aktorët e shoqërisë civile, institucionet, të rinjtë dhe qytetarët që u bashkuan në aktivitetin “Stop dhunës dixhitale” dëshmuan se ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt ndryshimit./ballkanweb
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.