Pavarësisht se u largua vetëm me një pikë nga përballja ndaj Dinamos, në fund Elbasani ia doli të ruajë pozitat në krye të klasifikimit dhe të mbajë vendin e parë, sërish me pikë të barabarta me Vllazninë.elbasaniEdhe pse vuajtën pas atij 11-metërshi të diskutueshëm, të kundërshtuar fort nga verdheblutë, bilanci që mbetet pas kësaj jave është pozitiv dhe grupi e sheh “gotën gjysmë plot”. Në transfertën ndaj një rivali direkt, ekipi tregoi personalitet, disiplinë dhe forcë karakteri, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e tij në këtë fazë delikate të kampionatit, ndaj edhe në kampin elbasanas një pikë shihet me pozitivitet.
EKIPI I MOMENTIT – Edhe pse u ndal seria e katër fitoresh radhazi, që i hoqi mundësinë Elbasanit të vendoste një rekord historik personal në Superiore, barazimi në transfertë ndaj Dinamos shërbeu për të përforcuar idenë e një ekipi që ka ritmin, forcën dhe vazhdimësinë e duhur për të qëndruar në garën për kreun. Në pesë javët e fundit, verdheblutë janë skuadra më rezultative e kampionatit me 13 pikë të grumbulluara, duke eklipsuar rivalët e drejtpërdrejtë. Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo kanë marrë vetëm nga 8 pikë, ndërsa pjesa tjetër e ndjekësve vijon edhe më poshtë. Ky ritëm i lartë e ka bërë Elbasanin të rikuperojë pesë pikë të plota vetëm ndaj rivalëve të “Final 4”, një tregues që jo vetëm ka ecuri, por ka dhe rritje reale në lojë. Forma e ekipit reflektohet edhe në statistika të tjera: stabiliteti në mbrojtje, reaktiviteti pas pësimit të golit dhe dinamika në mesfushë kanë qenë pikat kyçe të qëndrimit të Elbasanit në pjesën e sipërme të tabelës. Në këtë periudhë, ekipi është karakterizuar nga lojë pragmatike, por edhe e balancuar, duke gjetur golat në momente të rëndësishme dhe duke mbajtur nën kontroll ndeshjet që tradicionalisht rezultojnë të vështira.
SYNIMI – Pas kësaj minindalese, objektivi i Elbasanit është i qartë: rikthimi i menjëhershëm te fitorja. Fundjava e gjen ekipin në shtëpi, ku do të presë Partizanin, një tjetër skuadër që ndodhet në kërkim të stabilitetit. Atmosfera brenda grupit është pozitive, morali i lartë dhe mbi të gjitha verdheblutë luajnë përpara tifozëve të tyre, aty ku fitorja është më shumë se një synim, është një detyrim. Në shtëpi, Elbasani ka treguar se di të jetë agresiv, dominues dhe i rrezikshëm, falë ritmit që vendos në nisje të ndeshjes dhe presionit të organizuar në zonën e kundërshtarit. Stafi teknik kërkon të shfrytëzojë momentin e mirë dhe të rikthejë skuadrën te tre pikët, për të konsoliduar pozitat në krye dhe për të mos humbur kontaktin me objektivat afatgjatë të sezonit. Gjithsesi, Gvozdenoviç do të ketë gjithë javën në dispozicion për t’u përgatitur sa më mirë për këtë përballje delikate.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.