“Tifozët fantastikë”, Manellari: Elbasani ishte zgjedhja e duhur, e vështirë të mbash kreun

Pas fitores ndaj Egnatias, që konfirmoi formën pozitive të skuadrës verdheblu, mesfushori i Elbasanit, Isi Manellari, ndan përshtypjet e tij për këtë moment të mirë që po kalon ekipi. Një sukses që vjen në vazhdën e disa ndeshjeve të mira, duke mbajtur ekipin në kreun e renditjes dhe me moralin e lartë për të vijuar në të njëjtën linjë.

Futbollisti, i cili iu bashkua Elbasanit pas mbylljes së merkatos, tregon se është përshtatur plotësisht me grupin dhe se gjen harmoni të madhe në skuadër, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai thekson rolin e bashkëlojtarëve më me përvojë në integrimin e tij të shpejtë dhe në forcimin e frymës së grupit. Në intervistën për “Panorama Sport”, Manellari flet edhe për atmosferën që krijojnë tifozët elbasanas, për rivalitetin me Vllazninë në krye të renditjes, si dhe për pritshmëritë që ka ndeshja e radhës me Dinamon.

Manellari, siguruat tri pikë shumë të rëndësishme. Si ndiheni?

Normalisht që ndihemi shumë mirë, sepse kemi siguruar katër fitore radhazi. Ishte një fitore e vlefshme, sidomos ndaj një rivali direkt, që na mban moralin lart për të vazhduar drejt synimeve tona. Kjo fitore i dedikohet para së gjithash djemve, të cilët kanë luftuar në çdo ndeshje, jo vetëm në këtë të fundit.

U bashkuat vonë me skuadrën. Jeni përshtatur plotësisht me grupin?

Po, jam bashkuar pas mbylljes së merkatos dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që kam ardhur këtu. Disa prej djemve i njihja edhe më herët dhe nuk e prisja të më prisnin kaq ngrohtë që në fillim. Më kanë ndihmuar shumë edhe ata që kanë më shumë vite këtu, për t’u ambientuar dhe për t’u bërë pjesë e grupit. Tani jemi të gjithë bashkë në shërbim të objektivave që ka klubi.

Çfarë përshtypje ju lë atmosfera që krijojnë tifozët?

Tani, secili lavdëron tifozët e vet, por për mendimin tim, Elbasani ka tifozët më të mirë në Shqipëri. E kemi parë në çdo ndeshje, madje edhe në transfertat më të largëta, si ajo e fundit në Vlorë. Kam mbetur i mahnitur edhe në ndeshjen me Tiranën, ku ishin në shumicë krahasuar me kundërshtarin, edhe pse ishim në fushë jashtë. Është një mbështetje shumë e madhe, një shtysë e vërtetë dhe pa diskutim lojtari ynë i 12-të.

Jeni në krye me pikë të barabarta me Vllazninë. Shpresoni ta mbani sa më gjatë?

Siç thuhet, më e vështirë është ta mbash ritmin sesa ta arrish. Ne duhet të luftojmë fort, të bëjmë llogaritë tona dhe jo të kundërshtarëve. Jemi Elbasani dhe do të shohim vetëm veten tonë, duke hyrë në çdo ndeshje me qëllimin për të fituar.

Pas pushimit luani me Dinamon. Si e prisni këtë ndeshje?

Do të jetë një përballje po aq e luftuar sa ajo me Egnatian, me një rival direkt dhe një ekip shumë të mirë. Dinamo luan futboll të hapur dhe krijon hapësira për lojë, kështu që pritet një ndeshje interesante. Ne do të japim maksimumin, pa marrë parasysh kundërshtarin. Gjithsesi, Dinamos i takon respekt maksimal.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL