Diten e sotme, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Elbasan, Z. Ilir BEJTJA, u organizua mbledhja e Komisionit të Mbrojtjes Civile, me qëllim analizimin e punës së bërë deri tani dhe shqyrtimin e masave të marra nga strukturat përgjegjëse për parandalimin, përballimin dhe minimizimin e dëmeve nga situatat e mundshme emergjente që mund të krijohen gjatë sezonit vjeshtë-dimër 2025-2026.
Në këtë takim morën pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes Civile të Qarkut Elbasan.
Prefekti, në fjalën e tij, vlerësoi punën e palodhur të forcave zjarrfikëse, përkushtimin dhe sakrificën e treguar në izolimin dhe fikjen e vatrave të zjarrit, duke theksuar se, falë bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimit të skemës së lajmërimit në kohë, janë bërë hapa të rëndësishëm për rritjen e efikasitetit në menaxhimin e emergjencave.
Gjatë mbledhjes, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse diskutuan mbi organizimin, koordinimin dhe bashkëveprimin ndërinstitucional për planifikimin dhe përballimin e situatave emergjente të mundshme. Roli i strukturave përgjegjëse në nivel vendor u cilësua si parësor dhe njëherazi vendimtar për menaxhimin efektiv të emergjencave.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan thekson se emergjencat civile janë një fushë prioritare e punës dhe garanton angazhim maksimal për marrjen e të gjitha masave për aktivizimin e kapaciteteve logjistike dhe njerëzore, në funksion të minimizimit të rreziqeve potenciale, duke ndjekur me kujdes situatat në terren dhe duke ofruar mbështetje të nevojshme në çdo rast emergjence.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.