Kaos, përplasje dhe stola kokës. Pas ndeshjes Flamurtari-Elbasani, janë përsëritur skena dhune dhe mos bindje tifozërie, si rrallë ndonjëherë më parë, të paktën në Vlorë. Duket se gjakrat e ndezur që në ndeshjen e parë në Elbasan kanë vendosur që të “shfryhen” në mënyrën më të shëmtuar të mundshme në ndeshjen e djeshme.
Pavarësisht humbjes futbollistët e Flamurtarit shkojnë të festojnë me tifozët ultras “Flota Kuqezi”. E ndërsa në kor tifozët vlonjat brohorasin “Flamurtari, Flamurtari”, tifozët përballë, ata të Elbasanit u kundërpërgjigjeshin duke brohoritur për fitoren dhe kjo gjë ka mjaftuar për t’u marrë si një provokim ndaj vlonjatëve. Në distancë nisën sërish sharjet dhe ofendimet. Pranë ultrasve të Elbasanit “Tigrat” dhe “Arrakatët” zbriti presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, që u bëri thirrje të qetësoheshin. “Qetësohuni, qetësohuni”.
Pranë tyre edhe nëndrejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës, Shpëtim Hasanaliaj që bënte gjithashtu thirrje për qetësi. Situata agravoi edhe më shumë. Tifozët miq, të pabindur edhe ndaj urdhrave të policisë, nisën që të shkatërrojë me shkelma stolat e tribunës dhe t’i hidhnin jashtë murit të stadiumit, duke rrezikuar edhe jetën e tifozëve që po dilnin në atë moment nga impianti. Policia me shkopinj gome, skafandra dhe kapele mbrojtëse, rrethoi stadiumin brenda dhe jashtë, madje policët hipën edhe mbi murin e stadiumit. Situata degjeneroi më keq kur të dyja tifozëritë dolën jashtë. “Ec vash, vazhdoni rrugën” Këto ishin thirrjet e policisë, që po drejtonte turmën drejt pallatit të sportit për ti nxjerrë në bulevard.
Nën drejtori i policisë së Qarkut të Vlorës, Shpëtim Hasanaliaj kërkon me megafon që të gjitha shërbimet e policisë të qëndrojë kordon. Në këto momente ka pasur edhe konfrontime fizike mes policisë dhe tifozëve, teksa dëgjohet një qytetar që të thotë i shqetësuar: “Hë mo, lëre ti atë, çfarë e qëllon me…Ça e qëllon ti o zotëri. Kë qëllon ti mo kë qëllon”. Më pas ndërhyn me autoparlant numri dy i policisë së Vlorës, Hasanaliaj që thotë: “Me kujdes veprimet policore, me kujdes. Nuk është nevoja për të përdorur dhunë”. Po nuk përfundon me kaq. Tifozët vlonjatë vijojnë me sharjet në kor ndaj ultrasve të Elbasanit, në zonën përpara pallatit të sportit. Nuk mungoi as përleshja mes tifozëve, ndërsa nga furia e të rinjve të irrituar, policisë i doli situata jashtë kontrollit. Tensioni ka vijuar për disa minuta, ku mësohet se pasur edhe disa shoqërime në komisariat.
Në kushte të rrepta sigurie, dolën nga stadium gjyqtarët e ndeshjes, zyrtarët e FSHF, si dhe skuadra e Elbasanit dhe stafi teknik. Automjetet e tyre së bashku me autobusin e skuadrës dhe tifozëve u shoqëruan me forca të shumta të policisë së Vlorës deri në Levan, nga frika e ndonjë incidenti të mundshëm gjatë rrugës. Paralelisht policia e Vlorës ngrit postblloqe në të gjithë qytetin për të kontrolluar automjetet në qarkullim, ndërsa policia e Vlorës koordinoi punën edhe me policinë e Fierit e cila mësohet se ka marrë më pas stafetën e “mbrojtjes” së autobusit të futbollistëve dhe tifozëve të Elbasanit.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.