Një ditë historike për sportin shqiptar! Shtangistja e talentuar Enkileda Carja ka shkëlqyer në pedanën e Durrësit, duke u shpallur kampione e Europës në peshën 63kg, në kategorinë junior. Një paraqitje e jashtëzakonshme që ngjalli emocione të papërshkrueshme te të gjithë tifozët kuqezi.
Carja tregoi superioritet të plotë, duke realizuar me sukses të gjashtë provat e saj dhe duke dominuar si në stilin e shkëputjes, ashtu edhe në shtytje. Në shkëputje ajo ngriti 95kg, 96kg dhe 98kg, ndërsa në shtytje triumfoi me 113kg, 116kg dhe 118kg. Kjo performancë e pabesueshme i siguroi tri medalje të arta dhe vendosjen e rekordeve të reja europiane në të dyja kategoritë.
Me një total prej 216kg në dygarësh, Carja u ngjit e para në të gjitha kategoritë, duke shënuar një fitore që do të mbetet gjatë në historinë e peshëngritjes shqiptare. Momenti kur himni kuqezi u dëgjua në Pallatin e Sportit ‘Ramazan Njala’ ishte emocionues dhe i mbushur me krenari, ndërsa publiku festonte suksesin e madhe të saj.
Enkileda Carja jo vetëm që konfirmoi talentin dhe përkushtimin e saj, por edhe dhuroi një moment të paharrueshëm për gjithë sportdashësit shqiptarë. Një nga ditët më të bukura të historisë së sportit tonë, ku një kampione e vërtetë tregoi se ëndrrat bëhen realitet me punë, pasion dhe vendosmëri.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.