Universiteti i Elbasanit forcon bashkëpunimin akademik me Universitetin e Tetovës

Rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, me qëllim forcimin e partneriteteve akademike dhe shkencore midis dy institucioneve.

Marrëveshja parashikon organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe shkencore, shkëmbimin e personelit akademik dhe studentëve, si dhe zhvillimin e projekteve kërkimore-shkencore të përbashkëta. Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të rrjetit të partneriteteve ndërkombëtare të Universitetit të Elbasanit dhe forcimit të rolit të tij në hapësirën akademike rajonale.

Duke folur pas nënshkrimit të marrëveshjes, Rektorja Prof. Dr. Elvira Fetahu u shpreh:

 “Ky bashkëpunim me Universitetin e Tetovës është një mundësi e çmuar për të ndërtuar ura të reja akademike mes dy institucioneve tona. Ne synojmë që përmes shkëmbimeve të përbashkëta, kërkimeve shkencore dhe projekteve ndërkombëtare, të ofrojmë më shumë mundësi për stafin tonë dhe studentët tanë. Universiteti i Elbasanit do të vazhdojë të jetë një aktor aktiv në zhvillimin e arsimit të lartë në rajon.”

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, vlerësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit midis universiteteve të rajonit dhe për promovimin e shkëmbimeve akademike me vlera të ndërsjella.

Ky bashkëpunim është në linjë me strategjinë e Universitetit të Elbasanit për të rritur ndërkombëtarizimin e programeve të studimit dhe për të nxitur kërkimin shkencor ndërkufitar, duke kontribuar në krijimin e një hapësire të përbashkët arsimore shqiptare dhe europiane.