“Erashka”, komedia rinore e Carlo Goldonit hap sezonin e ri në Teatrin “Skampa”

Elbasani hap sezonin kulturor me një ngjarje të veçantë artistike: komedia rinore “Erashka” e mjeshtrit të teatrit italian, Carlo Goldoni, do të vijë për publikun elbasanas në datat 19, 20, 21 dhe 22 shtator, në orën 18:00, në skenën e Teatrit “Skampa”.

Goldoni, i njohur si themeluesi i komedisë moderne, solli në skenë jetën e përditshme dhe karakteret njerëzore me një realizëm të gjallë dhe plot humor. “Erashka” mbetet një nga veprat që dëshmon energjinë dhe finesën e tij krijuese, duke sjellë një frymë të freskët e rinore, e cila sot vjen e ripërpunuar për publikun shqiptar.

Shfaqja vjen nën regjinë e Fjorela Mirditës, një emër i njohur në botën e teatrit, e cila premton të sjellë një interpretim bashkëkohor, pa humbur shijen klasike të Goldonit. Në këtë produksion janë angazhuar profesionistë të spikatur të skenës:

Drejtor Ekzekutiv: Kliton Kapaj

Manaxhere Produksioni: Zhaneta Ruçaj

Konsulencë Artistike: Dhimitër Topuzi

Koreografia: Denis Blaceri

Skenografia: Fatbardh Marku

Koordinator: Klevis Balliu

Organizatorët shprehen se kjo shfaqje synon të sjellë jo vetëm humor dhe argëtim, por edhe një mesazh mbi rëndësinë e rinisë dhe energjisë pozitive në artin skenik.