Papa Françesku, i njohur si Papa i parë nga Amerika Latine dhe udhëheqësi i 266-të i Kishës Katolike, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Gjatë gjithë jetës së tij, ai u përball me sfida të mëdha shëndetësore, por ruajti gjithmonë një shpirt të fortë, humor të mirë dhe përkushtim ndaj shërbimit fetar.
Nga një fëmijëri e varfër në lagjet e Buenos Aires deri në fronin e Vatikanit, jeta e Jorge Mario Bergoglio ishte një rrugëtim frymëzues. Teksa bota përcjell zhvillimet e fundit për vdekjen e tij, në sipërfaqe po dalin histori të panjohura më parë nga rinia e tij përfshirë një dashuri e hershme që ndikoi thellësisht në fatin e tij.
Kur ishte vetëm 12 vjeç, Jorge u dashurua me një vajzë të quajtur Amalia Damonte, me të cilën jetonte në të njëjtën lagje në Buenos Aires. Ata ndanin çaste fëmijërie, lojëra dhe buzëqeshje derisa lidhja e tyre u kthye në një ndjenjë të sinqertë dhe të pastër.
Por prindërit e Amalisë nuk e miratuan lidhjen, duke i cilësuar të dy si shumë të vegjël për të kuptuar çfarë është dashuria. Reagimi i ashpër i familjes Damonte ishte një goditje për të riun Bergoglio, i cili i shkroi Amalisë një letër që do të mbetej historike: “Nëse nuk martohem me ty, do të bëhem prift.”
Ai nuk e thoshte me ironi. Disa muaj më vonë, Jorge hyri në seminar për t’i përkushtuar jetën fesë një rrugëtim që më pas e çoi drejt Selisë së Shenjtë.
Vite më vonë, Amalia Damonte do ta kujtonte me emocion atë periudhë të jetës. Në një rrëfim për “The Guardian”, ajo tregoi se e kishte ruajtur gjithmonë respektin dhe dashurinë për Jorge-n, edhe pse jeta i ndau.
“Kur ishim të vegjël, më shkroi një letër dhe unë nuk iu përgjigja. Babai më kishte rrahur sepse kisha guxuar t’i shkruaja një letër një djali,” tregoi Amalia.
“Nuk kam asgjë për të fshehur, sepse ishte diçka mes fëmijëve dhe krejtësisht e pastër.”
Dashuria e tyre nuk u kthye kurrë në martesë, por ndikimi i saj mbeti i gjallë në shpirtin e një njeriu që më pas do të bëhej një figurë globale.
Edhe pse rrugët e tyre morën drejtime të ndryshme, Papa Françesku dhe Amalia mbetën në kontakt përmes letrave gjatë viteve. Një miqësi e veçantë që dëshmonte se ndjenjat e pastra të rinisë nuk harrohen kurrë plotësisht.
Papa Françesku nuk ishte vetëm një udhëheqës shpirtëror. Ai ishte njeriu i thjeshtë që vinte nga rrugët e Buenos Aires, që përjetoi dashurinë, refuzimin, dhimbjen dhe më pas gjeti rrugën e shërbimit të përjetshëm. Një histori njerëzore që sot, pas ndarjes së tij nga jeta, emocionon dhe prek miliona njerëz në mbarë botën.