14 milionë euro për një shqiptar, Guintoli: Ju tregoj pse e blemë Rrahmanin

Napoli vendosi të blejë që në janar Amir Rrahmanin nga Hellas Verona dhe ka një arsye pse zgjodhën pikërisht futbollistin shqiptar. Drejtori sportiv i klubit italian, Cristiano Giuntoli tregon për Sky Sport Italia se mbrojtësi dardan është i duhuri për ta.

“Ne nënshkruam me Rrahmanin sepse është i mirë në markimin e kundërshtarëve, si dhe mund të ndërtojë aksionet sulmuese nga pas. Kjo është shumë thelbësore për trajnerin tonë”, tregon Guintoli, i cili udhëhoqi bisedimet për transferimin e Rrahmanit për shumën e 14 milion eurove.

Më tej ai shton: “Gattuso dëshiron gjithmonë ta nisë sulmin nga mbrojtja dhe kështu ne kemi dashur t’i japim atij lojtarë të përshtatshëm për idetë e tij që ka në lidhje me futbollin dhe mënyrën se si do ta shohë skuadrën të luajë.

Ai është i dashuruar pas lojës me pasime, duke luajtur mes linjave me tre mesfushorë. Kështu që morëm lojtarë që mund të luajnë në këtë mënyrë. Kemi firmosur edhe me lojtarë për të ardhmen, si Andrea Petagna. Ai është akoma i ri dhe sezonin e shkuar realizoi 17 gola me SPAL”.