Zgjerohet harta, edhe dita e sotme vijon të mbetet me shifra të larta të të infektuarve

Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 23 raste pozitive me koronavirus mes tyre 2 personel shëndetësor. ISHP njofton se shpërndarja e rasteve të reja pozitive është si vijon: 16 raste janë identifikuar në Tiranë, 2 në Mat, 2 në Lushnje, 1 në Durrës, 1 në Krujë, dhe 1 rast në Librazhd. Nga totali i të prekurve të identifikuar në 24 orët e fundit, 19 janë kontakte të rasteve të mëparshme të konfirmuara pozitive, ndërsa për 4 raste po vazhdon hetimi epidemiologjik.

Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 26 pacientë, nga të cilët 4 janë në terapi intensive dhe 1 pacient është i intubuar në gjendje të rëndë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 6 qytetarë, duke e çuar në 857 numrin e të shëruarve.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer rreth 16 mijë testime molekulare dhe serologjike. Që nga fillimi i epidemisë janë 1122 raste të konfirmuara, prej të cilëve aktualisht janë 232 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Vijojnë testimet serologjike tek personeli shëndetësor. Deri tani janë mbi 1450 të testuar me një përqindje të përgjithshme pozitiviteti rreth 9%.